Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Teheran u arrestua ditën e shtunë nga autoritetet iraniane, të cilat e mbajtën në gjendje ndalimi për disa orë.
Agjencia iraniane e lajmeve “Tasnim” raportoi se diplomati Rob Mekeir u arrestua përpara Universitetit Amir Kabir për nxitje të protestave antiqeveritare.
Duke reaguar, Ministria e Jashtme britanike konfirmoi arrestimin, të cilin e cilësoi një shkelje të ligjit ndërkombëtar.
“Arrestimi i ambasadorit tonë në Teheran, pa asnjë bazë apo shpjegim, është shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar”, – tha sekretari i Jashtëm, Dominik Raab në një deklaratë.
Sipas Londrës zyrtare, diplomati Mekeir po ndiqte ceremoninë në nder të viktimave të avionit ukrainas që u rrëzua nga një raketë ditën e mërkurë.
Sipas variantit zyrtar, ai u largua kur tubimi u kthye në një protestë, por u prangos nën akuzën e ndihmës në organizimin e demonstratave.
Shefi i diplomacisë britanike theksoi se qeveria iraniane ndodhet në udhëkryq, nëse do të vazhdojë me izolimin politiko-ekonomik, ose do të ndërmarrë hapa për çtensionimin e situatës dhe të angazhohet në një shteg të ri diplomatik.