Arsimi është një ndër ato fusha që ka probleme të mëdha. Duke nisur që nga infrastruktura, higjiena, ngrohja e deri tek orët mbi normën e lejuar dhe pagat e mësuesit. Kryetarja e Sindikatës së Pavarur të Arsimit në Shqipëri, Alma Lama u shpreh për ‘Euronews Albania’ se mësuesit përballen me probleme financiare.
“Paga nuk është aspak e kënaqshme. Janë premtuar dy rritje pagash, por nuk kanë ndodhur. Iu është mohuar edhe shpërblimi i fundvitit. Mësuesi në Tiranë është i dypunësuar, që do të thotë se ai me rrogën që merr plotëson vetëm nevojat bazike dhe ato nuk arrijnë t’i plotësojnë” u shpreh Alma Lama, kryetare e Sindikatës së Pavarur të Arsimit në Shqipëri.
Duke mos mjaftuar ngarkesa që këta mësues kanë, ata duhet të përballojnë dhe vështirësitë që sjell nisma “Bëjmë detyrat në shkollë”.
“Ndodh që mësuesi të mbarojë mësimin në orën 11 e 20 me klasat e para dhe dy orë atë duhet ti lërë të lirë fëmijët. Dhe në 1 e gjysmë ai të fillojë nismën bëjmë detyrat, që paguhet vetëm një orë”, theksoi znj. Lama
Në bankat e shkollës për vitin akademik 2018-2019, sipas INSTAT u ulën mbi 641 mijë nxënës. Kryetarja e Sindikatës së Pavarur të Arsimit në vendin tonë shprehet se kushtet me të cilat mësojnë sot këta studentë, nuk janë ato që duhen.
“Mësimdhënia kërkon investim, kërkon laboratorë, mjete, me qëllim që mësimdhënia të jetë cilësinë dhe standardet që e kërkon provimi që na ballafaqon Pisa. Ne dolëm ulët në provimin e Pisës. Nxënësit tanë njohuritë i kishin 2 vite klasë më ulët sesa evropianët, theksoi, znj. Alma Lama.