Disa bizhu janë gjetur në një varrezë masive në Përmet të zbuluar një vit më parë. Fare lehtësisht mund të dallohet dizanji dhe kujdesi që kanë treguar, mjeshtrit, në atë kohë për t’i punuar.
“Objektet që janë ekspozuar këtu kanë dalë nga një varrezë, datuar në mesjetën e hershme në rrethin e Përmetit. Janë kryesisht objekte bronzi, objekte femore, vathë dhe një set rruazash dhe unaza. Objektet në përgjithësi janë ruajtur në gjendje të mirë”, thotë restauratori Klejdi Zguro.
Ato nuk i përkasin vetëm grave të asaj periudhe por edhe fëmijëve. Sot të gjitha këto objekte të vjetra po i nënshtrohen resturimit dhe konservimit për t’i rikthyer si dikur dhe për të njohur më mirë motivet e punimeve.
Restauratri Zguro që për 12 vite ka rikthyer në gjendje të mirë shumë objekte, tregon se sa i rëndësishëm dhe delikat është ky proces.
“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, durimi është çelësi kryesor dhe shumë kujdes për të pastruar çdo detaj”, tha ai.
Për t’i trashëguar objektet historike ky proçes është jetësor dhe restauraori Gent Vokopola e përkufizon në këtë mënyrë çfarë do të thotë të restaurosh.
“Kënaqësia e të sjellurit në jetë ose e rigjallërimit në një formë ose në një tjetër të veprave të shekullit të kaluar. Duhet të kesh përgatitje të gjithëanshme”, sipas tij.
Proceset janë delikate dhe një gabim mund ta dëmtojë në mënyrë të patjetërsueshme një objekt historik.
Sot teknikat dhe materialet e restaurimit janë zhvilluar me kohën, megjithëse Shqipëria nuk ka një departament të dedikuar për këtë proces.
LEXONI GJITHASHTU