Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka zhvilluar sot asamblenë e përgjithshme të 22-të të jashtëzakonshme, për shkak te ngërçit qe është krijuar në muajt e fundit pas konflikteve të brendshme të bordit drejtues.
Propozimi i Federatave të sportit në vend pas konsultave me ndërkombëtarët, u kërkua që ky bord të vijojë punën deri pas lojërave olimpike dhe më pas të organizohen zgjedhjet, por para datës 31 dhjetor të këtij viti.
“Të shtohet një pikë ku trupat drejtues të komitetit olimpik të vazhdojnë deri në lojërat olimpike, edhe me kërkesë të komitetit olimpik europian dhe botëror, që mos të cënohen lojërat olimpike, patjetër me monitorimin e tyre, dhe menjëherë pas lojërave olimpike të fillojë procesi zgjedhor”, tha President i FSHF-së Armand Duka nëpërmjet një deklarate.
Në salle kishte jo pak kundërshtime, duke e zvarritur votimin e rezolutës për të shtuar këtë ndryshim.
Sekretari i përgjithshëm Stavri Bello deklaroi dorëheqjen pas kundërshtimeve në sallë, por njëkohësisht kërkoi që edhe presidenti Bezhani të merrte të njëjtin vendim.
“Duke parë këtë ngërç që sigurisht askush nuk është i kënaqur me këtë situatë, unë e ndjej përgjegjësinë time të dorëhiqem nga ky pozicion dhe duke qenë se kemi qenë të dy të akuzuar, i bëj thirrje presidentit të bëj të njëjtën gjë”, deklaroi Stavri Bello, sekretari i përgjithshëm i KOKSH
Pas debateve të shumta dhe kërkesave që drejtuesit e KOKSH të japin dorëheqjen u votua me 45 vota pro dhe 3 kundër miratimi i propozimit që ky bord të vijojë punën deri pas lojërave olimpike të këtij viti dhe më pas të organizohen zgjedhjet e reja, por pa saktësuar detajet dhe mënyrën se si do të funksionojnë gjërat, duke ditur që ka një konflikt të hapur mes presidentit dhe sekretarit të përgjithshëm.
Pas votimit të rezolutës nuk merret në konsideratë as dorëheqja e sekretarit Bello, që do të vijojë të mbajë postin e tij.
“Mendojmë së bëmë një zgjidhje që mund të quhet si zgjedhja më e mirë për t’i shërbyer sportistëve”, tha Presidenti i KOKSH, Viron Bezhani.