Avokatët e Julian Assange do të përpiqen të kërkojnë azil në Francë për themeluesin e Wikileaks.
Avokati francez, Eric Dupont-Morietti, tha se rasti i Assange do të vinte në rrezik fatin e gjithë gazetarëve.
“Situata është mjaft serioze dhe është detyra jonë që ta diskutojmë me presidentin francez, Emanuel Makron”, tha avokati.
Ai ishte një prej avokatëve që dolën në konferencë shtypi, në Paris, për të shpjeguar se pse e shihnin rastin e Assange si një padrejtësi, si dhe për të vënë në dukje gjendjen e tij shëndetësore dhe shkeljen e të drejtave të njeriut teksa ndodhej në burg, në Londër.
Seancat për ekstradimin e tij në SHBA, nën akuzën për spiunazh, do të nisin javën tjetër në kryeqytetin britanik.
Avokatët deklaruan se po punojnë për të formuluar një kërkesë konkrete, të cilën do t’ia drejtojnë Makronit për t’i dhënë azil në Francë, në vendin ku Assange ka fëmijët dhe ku u themelua Wikileaks.
Koordinatori spanjoll i ekipit të Assange, Baltasar Garzon, ritheksoi planin e klientit të tij për të deklaruar se administrata e presidentit Trump i kishte ofruar falje. Kushti, sipas tij, ishte që Assange duhej të thoshte që Rusia nuk ishte e përfshirë në nxjerrjen e e-mail-eve të Komitetit Kombëtar Demokratik, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016.
Gazon këmbënguli se Assange kishte marrë presione nga administrata e presidentit Trump, por kishte rezistuar, ndërsa “urdhri ishte dhënë për të kërkuar ekstradimin e Assange”.
Shtëpia e Bardhë i ka mohuar me forcë këto deklarata. Megjithatë, Garzon tha se do të ofrojnë në gjyq dëshmi dhe prova në mbështetje të kësaj deklarate.
48-vjeçari Assange kaloi shtatë vite brenda ambasadës ekuadoriane në Londër, derisa u nxor me forcë në prill të vitit 2019.
Ai u arrestua nga policia franceze në vitin 2012, pasi nuk respektoi lirimin me kusht.
Në nëntor, Suedia pushoi një çështje gjyqësore që kishte hapur ndaj tij, duke e akuzuar për krime seksuale.
Assange, i cili është australian, ka marrë mbështetje nga institucione të shumta. Komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, Dunja Mijatovic, është një prej zërave që iu shtuan mbështetjes ndaj tij, duke ngritur shqetësime për trajtimin e Assange në burgjet amerikane, si dhe ndikimin e lirisë së shtypit, në rast se ekstradohej.