Temperaturat në rritje dhe erërat e forta u dhanë një fuqi të paparashikueshme zjarreve përreth kryeqytetit të Australisë ditën e shtunë, duke detyruar autoritetet të mbyllin një autostradë dhe të paralajmërojnë një pjesë të banorëve se është vonë për evakuim.
Qielli përgjatë autostradës Monaro, në territorin e kryeqytetit australian, mori ngjyrë të kuqërremtë pasi një zjarr i pakontrolluar shkrumboi mbi 35 mijë hektarë tokë.
Territori që përfshin edhe kryeqytetin Kanberra, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme ditën e premte, për t’i paraprirë situatave që mund të krijoheshin nga temperaturat e larta dhe erërat, që pritet të zgjasin edhe të dielën.
Bëhet fjalë për shpalljen e parë të gjendjes së jashtëzakonshme që prej vitit 2003, kur 4 persona mbetën të vrarë dhe rreth 500 shtëpi u shkatërruan nga zjarret.
“Problemi me aktivitetin e zjarreve është se vetë zjarret po gjenerojnë modelin e motit, që kombinuar me drejtimin e erës po përcakton rrugën e flakëve. Për pasojë na është dashur të anulojmë përpjekjet nga toka dhe të organizojmë vetëm operacione ajrore në të gjithë Nju South Uellsin”, u shpreh Georgina Whelan, përgjegjëse për menaxhimin e territorit në Kanberra.
Temperaturat parashikohet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius në disa zona përreth Kanberrës, duke nxitur paralajmërimet për qytetarët, që të tregohen të kujdesshëm.
Në shtetin e Nju South Uellsit po digjen mbi 60 zjarre, një e treta e të cilave kanë dalë jashtë kontrollit, me situatën që ka detyruar qeverinë lokale të ngrejë nivelin e alarmit.