2027-a është viti kur 11 qytete dhe shoqata civile duan që në Evropë të shiten vetëm autobusë me zero emetime. Parisi, Barcelona dhe Milano janë mes qyteteve që po i bëjnë thirrje Komisionit Evropian të propozojë një afat për autobusët me karburant tradicional.
Autoritetet vendore thonë se pa veprime në nivel evropian, oferta nuk do të përputhet me kërkesën nëse synohet që objektivat të arrihen.
“Bashkitë dhe shoqatat e interesuara i kanë shkruar Komisionit duke i kërkuar që 2027-a të jetë viti kur autobusët urbanë të kenë zero emetime, kjo do të thotë se ata do të jenë elektrikë ose me hidrogjen. Qytetet duan më shumë mjete elektrike dhe kjo është pozitive për të rritur kërkesën për mjete të tilla. Kjo do të sjellë rënien e çmimeve. Çmimi është një çështje serioze për shumë qytete dhe rritja e ofertës do ta reduktojë atë”, thotë James Nix, ekspert ambienti.
Në Bruksel, autobusët elektrikë kanë nisur të përdoren. Ata ndalojnë në fund të cirkuitit të tyre, karikohen për 10 minuta dhe nisen sërish.
Qytete të tjera, përfshirë 40 në mbarë botën, kanë vendosur si objektiv 2025-n. Mes tyre përfshihen edhe qytetet holandeze. Dhe pavarësisht se komisioneri evropian për Ambientin për momentin nuk zotohet të vendosë një afat, ai thotë se ideja që administratat vendore të avancojnë vetë projektin është pozitive.
“Ky projekt është së pari shembulli që u duhet treguar qytetarëve. Nëse qytetet nuk kanë fuqi blerëse për t’u pajisur me mjete të tilla, atëherë si mund t’u kërkojnë banorëve të blejnë automjete me energji të pastër? Ndaj mendoj se ky është një detyrim. Është hapi i parë për t’u dhënë shembullin e mirë gjithë qytetarëve”, shprehet Virginijus Sinkevičius, komisioneri evropian për Ambientin.
Komisioni Evropian pritet të publikojë propozimin e tij mbi standardet e emetimeve për autobusët dhe kamionët më vonë gjatë vitit, kur mund të zbulohet edhe një afat i mundshëm.
LEXONI GJITHASHTU:
- Energjia elektrike në Gjermani, deri në 60 % më shtrenjtë vitin e ardhshëm
- Qymyr për Serbinë dhe RMV, Balluku: Përfitojmë një pjesë nga energjia e prodhuar