Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet për vrasjen e efektivit të Forcave Speciale “Shqiponja”, Novruz Cenalia, ngjarje e ndodhur më 13 maj 2024 në fshatin Baltëz të Fierit.
Dosja ndaj të pandehurit Azgan Mërnica është dërguar për gjykim në Gjykatën e Fierit.
Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, të parashikuara nga nenet 79/b, 278 dhe 291 të Kodit Penal.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, është provuar se Azgan Mërnica ka qëlluar për vdekje me armë zjarri efektivin e policisë, i cili në momentin e ngjarjes mbante veshur uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja”, duke e bërë qartë të dallueshme detyrën e tij.
Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit, i cili ka nisur kur autori, duke drejtuar automjetin e tij, ka hyrë në një kthesë me shpejtësi dhe pa kontrolluar rrugën, duke rrezikuar përdoruesit e tjerë të saj. Efektivi i policisë i ka tërhequr vëmendjen për këtë veprim, çka ka sjellë reagimin agresiv të autorit.
Mërnica ka ndaluar automjetin, ka dalë prej tij duke mbajtur me vete një çantë ku ndodhej arma e zjarrit dhe është drejtuar drejt efektivit të policisë, i cili ende nuk kishte dalë nga makina e tij. Në këtë moment, autori ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar drejtpërdrejt në fytyrë efektivin Novruz Cenalia, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier ka deklaruar se mbetet e angazhuar për të garantuar një proces të shpejtë dhe për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë personat që kryejnë krime kundër jetës dhe autoritetit të shtetit.
LEXONI GJITHASHTU:
- “U trembën kur panë snajperat”- Softa: Pse familjarët e dorëzuan Mërnicën në polici
- Vrasësi i policit qeshte, eksperti: Përkëdhelja e këtij brezi po shkakton probleme