Pas rasteve të konfirmuara me coronavirus në Shqipëri, ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale ka shpërndarë në faqen e saj zyrtare në “Facebook” vendimet e përmbledhura nga mbledhja e jashtëzakonshme e qeverisë. Masat konstatojnë me mbylljen e shkollave, anulimin e fluturimeve direkte ajrore dhe detare me Italinë Veriore, kryesisht me zonat që janë futur në “zonën e kuqe”.
Një tjetër kusht i caktuar sot nga mbledhja e jashtëzakonshme e qeverise shqiptare është ajo e vetëkarantinimit të personave, të cilat kanë historik udhëtimi me zonat që kanë shpërndarje të lartë komunitare të COVID-19. Sipas urdhrit, kjo masë është e detyrueshme, pasi në të kundërt çdo person që thyen këtë rregull do të përballet me sanksione administrative.
Masat e marra:
1-Pezullohen fluturimet dhe udhëtimet në rrugë detare me veriun e Italisë, me të gjitha zonat e kuqe të izoluara plotësisht deri më datë 3 prill.
2- Mbyllen institucionet arsimore për një periudhë dy javore.
3-Anulohen grumbullimet masive, aktivitetet sportive, kulturore, konferenca, dëgjesa publike deri më datë 3 prill
4-Vetëkarnatinimi i detyruar për personat që vijnë nga zonat me shpërthime komunitare, zonat e kuqe, i cili do të monitorohet me rigorozitet nga strukturat shëndetësore. Ky vendim është i shoqëruar edhe me masa administrative për këdo që thyen këtë rregull.