Pas tre viteve qytetarët e Shkupit do të shkojnë në Prishtinë për afro 45 minuta. Aktualisht kjo distancë përshkohet për një orë e gjysmë. Ajo do shkurtohet me ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, që do fillojë pas më shumë se një dekade kërkesash të komunitetit të biznesit, por edhe qytetarëve. Sot u nënshkrua marrëveshja për nisjen e punimeve për dy kilometrat e para.
“Unë besoj se shumë shpejt do arrijmë që Shkupin me Prishtinën t’i lidhim me autostradë e cila do kalohet për më pak se 45 minuta dhe është fakt se Shkupi dhe Prishtina do bëhen dy qytetet më të afërta në rajon, duke krijuar lidhshmëri të njerëzve dhe mallrave”, – u shpreh Bujar Osmani, zëvendëskryeministër i RMV-së
Ministri i Transportit, Goran Sugarevski thotë se përveç qarkullimit të lirë të qytetarëve, ndërtimi autostradës do ketë ndikim pozitiv në ekonominë e shtetit, duke marrë parasysh se shkëmbimin më të lartë tregtar Maqedonia e Veriut e ka me Kosovën.
“Ne vlerësojmë shumë lidhjen me shtetet fqinje, prandaj edhe fokusin e kemi te ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë. Ky projekt ka rëndësi për shkak të lidhjes dhe bashkëpunimit ekonomik, që më Kosovën është shumë i lartë”, – tha Goran Sugarevski, ministër i Transporti të RMV-së
Ndërtimi i dy kilometrave të para të autostradës do kushtojë 12 milionë euro. Ndërsa në total projekti është 120 milionë euro, që janë siguruar me kredi dhe fonde evropiane. Kosova tashmë ka ndërtuar pjesën e saj të autostradës prej 65 kilometrave, e cila është në funksion.