Avokatët e presidentit Donald Trump nisën këtë të shtunë mbrojtjen para senatit ku demokratët kanë paraqitur argumentet e tyre duke kërkuar shkarkimin e presidentit amerikan, të akuzuar për abuzim me pushtetin dhe pengim të punimeve të Kongresit lidhur me hetimin e çështjes të ashtuquajtuar Ukrainagate.
Ekipi ligjor i kreut të Shtëpisë së Bardhë u shpreh se përpjekjet e demokratëve për të larguar presidentin janë një precedent shumë i rrezikshëm për zgjedhjet. Ata i nisën argumentat e tyre duke u shprehur se presidenti nuk ka bërë asgjë të gabuar.
“Ne besojmë se kur të dëgjoni faktet dhe kjo është ajo që synojmë të paraqesim, do të zbuloni se presidenti nuk ka bërë asgjë të gabuar. ‘Impeachment’ nuk mund të jetë një lojë. Ata duhet të japin fakte”, u shpreh përfaqësuesi ligjor i presidentit Trump, Sink Pat Cipollone.
“Ne ju kërkojmë të mendoni për atë që keni dëgjuar. Lërini njerëzit të vendosin për veten e tyre. Kjo është ajo që donin edhe themeluesit tanë. Kjo është ajo që duhet të dëshirojmë të gjithë. Ju falënderoj për vëmendjen tuaj dhe mezi pres që t’ju shoh të hënën”, shtoi ai në deklaratën e tij.
Seanca e së shtunës zgjati vetëm tre orë pasi republikanët duan të kursejnë pjesën më të madhe të argumenteve të tyre për fillimin e javës tjetër, kur presin të sigurojnë një shikueshmëri më të lartë.