Dështimi nuk është arsye për t’u dorëzuar e këmbëngulja është mjeti kryesor për t’ia dalë.
Mbase pakkush i jetëson këto parime, si Eva Buzo, notarja e cila ja doli mëngjesin e kësaj të hëne të realizoj ëndrrën e saj.
Shqiptaro-australiania preku rreth orës 5 të mëngjesit, brigjet e Karaburunit, duke përmbushur sfidën e saj për të kaluar me not kanalin e Otrantos.
Ajo u nis nga brigjet e Leçes në Itali dhe përshkoi me not 92 km për 35 orë e 17 minuta, duke arritur në afërsi të kepit të Gjuzës, në një nga gjiret e Karaburunit.
Gjatë udhëtimit të vështirë, notarja me profesion avokate u shoqërua nga disa barka që kontrollonin gjendjen e saj. Në momentin e mbërritjes Eva nuk është në gjendje të flasë për shkak të kalcifikimit të gojës nga kripa. Miqtë që e shoqëruan flasin për të e thonë se gjendja e saj është shumë e mirë.
Eva provoi ta kryente këtë aventurë edhe vitin e shkuar, por e ndërpreu në mes për shkak të komplikimeve shëndetësore.
Buzo, një avokate e aktiviste në Australi, është e angazhuar në mbrojtje të të drejtave të njeriut.
Ajo mendoi ta kalojë me not Otranton si një mënyrë për të promovuar bukurinë natyrore shqiptare.
Suksesi i saj ka marrë edhe vëmendjen e kryeministrit Edi Rama, i cili e përgëzoi udhëtimin e saj, si një histori mbresëlënëse, dhe duke e komplimentuar për forcën e jashtëzakonshme fizike e psikologjike.
Eva Buzo është atletja e parë grua që e kalon Ontranton me not, pas Paolo Pintos, i cili e ka bërë këtë në vitin 1979.
View this post on Instagram