Një nga gatimet tradicionale e cila asnjëherë nuk mungon në tryezat e fundvitit është bakllavaja. Euronews Albania ka qenë në shtëpinë e Adelina Andreas, një amvisë korçare e apasionuar pas gatimit, e cila ka treguar sesi bëhet e gatuhet bakllavaja.
Mielli, vezët, vaji, qumështi, kosi, uthulli e kripa janë ingredientët kryesore të këtij gatimi.
Gatimi ishte pasioni i Adelinës që në fëmijëri, ndërsa vajzat e reja gatuajnë gjithmonë e më pak bakllavanë, thotë ajo.
“Unë që e vogël e kam pasur pasion gatimin dhe kam marrë nga nëna ime gjithë gatimet. Edhe babai im ka qenë kuzhiner i mirë për familjen, ndërsa mamaja ime ishte amvisë e shkëlqyer për pjesën e brumit. Shumica e moshës time e bëjnë bakllavanë, të rejat nuk e kanë qejf dhe shkojnë e marrin të gatshme. Të gjitha gatimet unë i bëj në shtëpi. E dalin me të mira, e duhet gatim me dashuri, si ajo proverba, dashuria vjen nga stomaku”, tha ajo.
Teksa brumi kërkoi një orë të përgatitej, Adelina e ndihmuar nga fqinja e saj, siç është edhe në traditën korçare, për një moment, ndihmë i bëhet dhe gazetari i Euronews Albania.
Bakllavaja turke kërkon më pak kohë dhe punë për t’u bërë.
“E kemi lënë brumin të vijë një orë, bëjmë ndarjen e brumit. E ndajmë në 4 pjesë dhe bëjmë kulaçkat e vogla. Më pas i hapim si petë, i ndajmë në tepsi, hedhim arrat dhe hedhim gjalpin në fund fare. Petët për bakllavane turke nuk duhen tharë, ndërsa më parë i thanim, tani kjo është bakllava turke, kjo ka qenë tradicionale”, u shpreh Adelina.
Bakllavaja që bëhet në shtëpi është më e lirë dhe më e shijshme, në krahasim me atë që mund të blihet nëpër pastiçeri.
“Kjo bakllava turke do na kushtojë 25 mijë lek të vjetra. Në dyqan është 28-30 mijë. Kjo është më e shijshme dhe tradicionalja nuk vdes kurrë, unë personalisht kështu e bej ngahera”, sipas saj.
Në tryezën e vitit të ri janë disa gatime tradicionale që korçarët përgatisin. Përpos tyre, ritualet simbolike vazhdojnë të kryhen.
“Në tavolinën korçare kam disa sallatra, filluar nga sallata ruse, sallata chief, sallata çezar, perimet e pjekura, turshite dhe mishrat. Bëjmë pule të mbyllur, rosto, mish qingji, patatet dhe bakllavaja në fund fare. Ne në Korçë kemi traditë që gjithmonë marrim 12 kokrra rrush, që çdo kokërr simbolizon çdo muaj edhe shegën. Kur hyjmë pas 12 e çajmë në derë dhe është simbol i lumturisë dhe mirësisë. Unë vazhdoj ende t’i bëj”, theksoi Adelina.
Teksa gatimi merr formën përfundimtare, bëhet prerja dhe më pas duhet futur në furrë për 4 orë me 150 gradë.
Pas 4 orësh durim, kjo është bakllavaja e përfunduar.
“Kemi dhe procesin e fundit, të shurupit. Duhet 1.5 kg sheqer dhe 1 litër ujë. Gjithmonë bakllavaja është e ftohtë dhe shurupi i nxehtë, e mbulojmë me tepsi që të lëshojë avull që të zbutet. Gjithmonë në datën 31 e hamë pas orës 12. Unë uroj gjithë shqiptarët që 2023 të jetë i mbarë, me harmoni dhe me paqe“, nënvizoi Adelina.
E me fjalë zemre nga një zonjë duarartë korçare, Euronews Albania u uron një vit sa më të begatë dhe të paqtë, pranë familjeve tuaja.
LEXONI GJITHASHTU
- Festimet në Kosovë, disa të lënduar nga mjetet piroteknike dhe armët e zjarrit
- FOTO | Si e kaluan natën e ndërrimit të viteve politikanët shqiptarë
- ‘2022 do mbahet mend gjatë’, ambasada amerikane: 2023 qoftë një vit i begatë