Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë pritet të miratojë sot vendimin për shtyrjen e shlyerjes së kësteve për bizneset, por edhe për individët me tre muaj. Kjo masë e Bankës së Shqipërisë vjen për shkak të situatës së krijuar, ku virusi vdekjeprurës COVID-19 ka prekur edhe vendin tonë.
Këtë masë të Bankës së Shqipërisë e ka përshëndetur edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili pasditen e djeshme çështjen e kredive e parashtroi si masë të propozuar nga Partia Demokratike.
“Përshëndes Bankën e Shqipërisë për vendimin e pezullimit të pagesës së kredive, që është një nga masat e propozuara nga PD. Është e domosdoshme në këtë situatë të jemi pranë qytetarëve, operatorëve ekonomikë e sidomos biznesit të vogël! Situata emergjente kërkon masa emergjente!”, shkruan Basha.
Ai fton qeverinë të aplikojë dhe të zbatojë menjëherë masat socio-ekonomike të propozuara nga Partia Demokratike.
“Ftoj qeverinë që në këtë kohë krize të mos ketë asnjë kompleks të zbatimit të masave ekonomike dhe sociale të propozuara nga PD por të veprojë pa humbur kohë dhe të adoptojë këto masa për hir të të gjithë shqiptarëve. Koha nuk prêt”, shton ai.