Disa banka italiane kanë mbyllur ose kanë vendosur kufizime për disa llogari bankare në emër të qytetarëve iranianë duke cituar sanksionet e SHBA kundër Iranit dhe vënien e disa personave në një situatë financiare delikate.
Sipas disa burimeve të besueshme të Euronewsit, dega e bankës ING Direct i çoi një letër klientëve të saj disa muaj më parë ku i kërkonte shpjegime dhe dokumente mbi të ardhurat dhe transfertat bankare. Kjo ka sjellë mbylljen e disa llogarive.
Edhe banka Intesa San Paolo i ka kërkuar klientëve të saj të dorëzojnë dokumente për burimin e të ardhurave të tyre.
Shumë iranianë në Itali janë ose studentë ose banorë që jetojnë aty prej një kohë të gjatë, të punësuar rroga e të cilëve depozitohet në bankë. Mbyllja e befasishme e llogarive të tyre apo kushtëzimet e reja kësisoj kanë vënë shumë përpara vështirësive financiare.
“Dy ditë për të mbyllur llogarinë”
Mora një letër disa ditë më parë nga banka imë ku më thoshte se kisha dy ditë për të mbyllur llogarinë time,” tregon Hussein, një iranian që jeton në Milano, për Euronews.
Ai shtoi se rroga e tij ishte depozituar tek ajo llogari dhe se nuk kishte kryer ndonjë transfertë ndërkombëtare apo të dyshimtë. Disa prej miqve të tij, tha ai, kanë marrë letra të ngjashme.
Sipas Hussein, banka nuk i ka dhënë shpjegime për mbylljen e llogarisë së tij duke e nxitur atë të arrijë në përfundimin se ka ndodhur për shkak të kombësisë së tij. Ai tashmë planifikon të kërkojë ndihmë përmes ambasadës iraniane.
Por Nina, një tjetër iraniane që jeton në Itali, llogaria e së cilës është mbyllur gjithashtu, i ka shkruajtur ambasadës pesë muaj më parë, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje. Tashmë, ajo ka kërkuar ndihmën e një avokati.
“Kur shkova te banka për të mësuar arsyet se përse ma kishin mbyllur llogarinë, mu përgjigjën pa ngurruar se ishte për shkak të kombësisë sime dhe se urdhri ishte lëshuar nga Banka Qendrore Italiane”, ka shpjeguar ajo.
Banka theksoi se të gjithë llogaritë, jo vetëm ato të iranianëve, janë në mbikëqyrje për të shmangur pastrimin e parave.