Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përshëndetur propozimet e Dhomës Amerikane të Tregtisë, e cila i kërkoi qeverisë që të gjitha bizneset të kenë akses në fondet e emergjencës.
z. Basha në reagimin e tij ka kërkuar sërish që paratë që shkojnë për koncesionet e partneritetit publik privat apo dhe investimet publike të shkojnë për të ndihmuar në kalimin e situatës së vështirë. Kjo pasi sipas kreut të PD, 50 milionë euro nuk mjaftojnë për të mbuluar nevojat e krizës.
Reagimi i kreut të PD:
Shqetësimet dhe propozimet e Dhomës Amerikane të Tregtisë janë të drejta. I kam kërkuar qeverisë angazhimin e të gjitha resurseve ekonomike në buxhet për të mbështetur biznesin nga vështirësitë e shkaktuara prej pandemisë.
Qeveria shqiptare duhet të RIALOKOJË fondet e vendosura në buxhet për PPP-të, nga shpenzimet operative si edhe nga investimet publike dhe ti vërë ato në funksion të nevojave shëndetësore dhe ekonomike.
Fondet e shpallura nga qeveria prej 50 milionë euro në total për 3 muaj, për shtresat në nevojë, pagat e biznesit të vogël dhe pagesën e papunësisë, NUK i mbulojnë nevojat e krizës.
Pas shëndetit, ekonomia duhet të jetë prioritet absolut i qeverisë. Shqipëria ka nevojë për masa gjithpërfshirëse dhe jo fjalë. Koha është tani, sepse çdo vonesë do kushtojë shtrenjtë.
Lexoni gjithashtu: