Banka Botërore thotë se Shqipëria mund të transformojë ekonominë e saj, nëse investon në teknologji, inovacion dhe arsimim cilësor.
Duke u fokusuar në këtë drejtim, ajo mund të kalojë në një status të ri ekonomik, brenda 20 apo 30 viteve.
Shqipëria duhet të investojë në teknologji për të rritur ekonominë e vet.
Këshilla vjen nga Banka Botërore, e cila sugjeron që vendi ynë të shtojnë industritë inovative, të tërheqë investime në këtë fushë, po ashtu të kthejë edhe kapitalin njerëzor.
Në Raportin e fundit të Zhvillimit Botëror për vitin 2024, jepen edhe shembujt që kanë bërë këtë tranzicion, në vende si Polonia e Estonia.
Me një popullsi në plakje dhe me borxhe të larta publike, ekonomitë me të ardhura të mesme të larta, ku bën pjesë edhe Shqipëria, janë duke u rritur në hapësira të ngushta.
Tani njerëzit në vendet me të ardhura të mesme janë të frikësuar dhe mosbesues se në dy dekadat e ardhshme të rriten në statusin me të ardhura të larta.
Banka sugjeron po ashtu, se Shqipëria, duhet të huazojë teknologji dhe ide për zhvillimin e saj nga jashtë.
Ky proces kërkon ristrukturim të ndërmarrjeve dhe një liri më të madhe në ekonomi, por ai varet shumë edhe nga modelet dhe disiplina që do të kenë qeveritë në vazhdim.