BE-ja ka ofruar 230 milionë euro për të luftuar përhapjen e koronavirusit, ndërkohë që Italia, një nga shtetet kryesore të bllokut, tashmë ka regjistruar viktimën e katërt dhe rreth 188 persona të infektuar.
Njoftimi është dhënë nga Komisioneri për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic, dhe Komisionerja për Sigurinë Ushqimore dhe Shëndetësore, Stela Kirikidu.
“Nga këto, 114 milionë do t’i shkojnë Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për të ndihmuar me parandalimet botërore. 15 milionë do t’u jepen vendeve partnere, për të forcuar gatishmërinë e tyre. Dhe 100 milionë do të përdoren për kërkime shkencore, zhvillim vaksinash dhe trajtim, të cilat do të kenë pasoja pozitive për të gjithë botën”, deklaroi Lenarcic.
Autoritetet italiane kanë pezulluar edhe karnavalet e famshme të Venecias, për të kufizuar sa më shumë përhapjen e virusit, ndërkohë që në të gjithë vendin po merren masa të forta.
Në Austri është ndaluar një tren i nisur nga Italia, pas dyshimeve se dy prej personave në bordin e tij ishin të infektuar.
Dhe pse të dyshuarit zbritën në Verona, 300 udhëtarët e trenit “Eurocity” u mbajtën në kufi, duke shënuar kështu ndërhyrjen e parë në kufijtë e vendeve të BE, që pas përhapjes së virusit në Itali.
Në të gjitha rastet fatale të shënuara deri tani në Itali, viktimat janë persona në moshë të thyer dhe që kanë pasur përkeqësim të gjendjes shëndetësore.
Me 188 raste personash të infektuar, Italia bëhet vendi i tretë në botë për nga përhapja e virusit vdekjeprurës, pas Kinës dhe Koresë së Jugut.
Franca ishte vendi europian që shënoi vdekjen e parë nga Koronavirusi, atë të një turisti kinez.
Ndërkohë, Rumania, vend i cili numëron shumë emigrantë në Itali, ka vendosur që të fusë në karantinë të gjithë ata persona që vijnë nga Lombardia dhe Veneto apo që kanë qenë në këto rajone në 14 ditët e fundit.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë së këtij vendi, ndërsa në aeroportin e Bukureshtit, pasagjerët merren në pyetje dhe kontrollohen nga një staf mjekësor.