Krijimi i Bashkimit Evropian ka qenë një prej zhvillimeve kyç përpara për këtë anë të botës. Pas dy luftrave botërore, miliona të vdekur dhe dekadave të tëra diktature, krijimi i kësaj kornize institucionale mundi të vendosë standardet e larta, pothuajse të pakundërshtueshme, të qëndrueshmërisë, paqes dhe begatisë. Një prej “etërve të Evropës”, Jean Monnet do të shprehej asokohe se “të ndërtosh Evropën do të thotë të ndërtosh paqen”, teori e cila është përvijuar gjatë dekadave të fundit.
Por, ajo që vihet qartësisht në dyshim është nëse ekziston me të vërtetë një ndryshim modeli sa u përket vendeve që duan të marrin pjesë në projektin evropian; një kalim nga shtet-kombet e vjetra drejt shteteve të reja anëtare. Dallimi mes këtyre dy modeleve shtetesh është kolosal. Modeli i parë karakterizohet nga të qenit lakmitar për territore, në qendër të vëmendjes dhe shpesh luftënxitës, ndërsa modeli i dytë përfaqëson një format të ri, në të cilin sovraniteti “shpërndahet” me institucione të tjera më të larta dhe mosmarrëveshjet, qofshin këto të brendshme apo të jashtme, nuk zgjidhen përmes dhunës dhe represionit si më parë, por përmes dialogut, demokracisë dhe diplomacisë.
Fatkeqësisht, qasja e shumë vendeve të BE-së konfirmon se zakonet e dëmshme të shtet-kombeve të vjetra janë ende edhe sot të gjalla. Bashkimi Evropian po vuan nga një shpërthim nacionalistësh brenda radhëve të anëtarëve të tij, një rebelim të elitave – që po gjejnë shpeshherë strehim tek ekstremi i djathtë, – të cilët kanë qenë gjithnjë dyshues për ta lënë timonin e anijes mes shumë duarsh. Konteksti i vështirë ekonomik dhe ndërkombëtar, sikurse globalizimi mes shumë faktorësh të tjerë, kanë sjellë shpërthimin e shumë zërave antievropianë dhe ultranacionalistësh nga kryeqendrat e pushtetit që po kërkojnë të rikuperojnë pushtet dhe autoritarizmin. A ju duket familjare tashmë thirrja “le të rimarrim kontrollin”? E kemi dëshmuar tashmë në Mbretërinë e Bashkuar, në Hungari e Poloni, Itali dhe në Spanjë, mes shumë të tjerash.
“Triumfi i ‘Brexit’-it, shfaqja e politikanëve të tillë si Orban apo Salvini, rikthimi i supremacisë nacionaliste dhe, në përgjithësi, shfaqja e sërishme e sjelljeve autoritare si ato të adoptuara nga shteti spanjoll përkundrejt disidentëve politik, na tregon neve se diçka po shkon keq. Sjelljet e vjetëruara të shtet-kombeve shuhen me vështirësi shumë të mëdha”.
Nëse rikthejmë vëmendjen te Spanja, ne mund të shohim se euroskepticizmi në rritje nuk përkthehet vetëm në rritjen e partive të ekstremit të djathtë, siç është rasti i “Vox”, që mund të konsiderohet vetëm maja e ajsbergut. Mosbesimi ndaj atyre që disa mund t’i quajnë si “të jashtëm që duan të na qeverisin neve” është i dukshëm në qasjet e shfaqura nga disa prej pushteteve kryesore të një shteti, si për shembull gjyqësori, por edhe një pjesë domethënëse e klasës politike spanjolle. Askush nuk foli mjaftueshëm rreth eurodeputetit të Partive Popullore (PPE/EPP), Gonzalez Pons, kur kërkoi pezullimin e Traktatit të “Schengen”-it, nëse urdhërarresti evropian nuk do të çonte në ekstradimin në Spanjë të presidentit të Katalonjës, Carles Puigdemont, që jeton në ekzil në Belgjikë prej shpalljes së “pavarësisë” së Katalonjës.
Në këtë këndvështrim, strategjia ndërkombëtare e ndjekur nga drejtësia spanjolle për të detyruar ekstradimin e anëtarëve të qeverisë katalanase në ekzil, nxori në dritë edhe euroskepticizmin institucional për të cilën po flas në këtë opinion. Ne e dëshmuam fillimisht këtë kur hetuesi Pablo Llarena manipuloi sistemin e urdhërarresteve evropiane, duke lëshuar mandatarrestet dhe duke i tërhequr më pas ato, si të ishte duke luajtur thjesht një lojë.
Pak javë më parë, gjatë fushatës për zgjedhjet evropiane, Partia Socialiste spanjolle (PSOE), Partia Popullore (PP), “Ciudadanos” dhe “Vox”, praktikisht i tërë spektri politik spanjoll, vunë në dyshim sistemin evropian të urdhërarresteve. Nuk kishte si të mungonte kritika e ashpër e qeverisë në Gjermani dhe drejtësisë gjermane, sepse ata nuk i mbështesin truket gjyqësore, siç veproi shteti spanjoll për të vijuar “prerjen e kokave” të lëvizjes për pavarësinë e Katalonjës.
Brenda pak javësh, ose ditësh ndoshta, ne mund të shohim një kapitull të ri në këtë seri absurditetesh. Gjykata Supreme ka kërkuar një vendim paraprak nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, për të konstatuar shkallën e imunitetit të eurodeputetit të zgjedhur, Oriol Junqueras, të cilin Spanja e ka penguar në mbledhjen e kredencialeve të tij, duke e mbajtur në paraburgim. Nëse gjykatësi i Supremes, Marchena vendos të tërheqë kërkesën për vendimin paraprak, apo jep vendim përpara se të marrë përgjigjen e gjykatës evropiane, ne thjesht do të shihnim shembullin e disatë, sesi Spanja nënçmon institucionet evropiane dhe manipulon procedurat e veta me vullnetin e saj. Një shpërfillje e tillë nuk do të ishte thjesht për Gjykatën Evropiane të Drejtësisë me seli në Luksemburg, por për vet demokracinë evropiane për sa kohë që për kapriçot e shtetit spanjoll po shkelen të drejtat politike të dy milionë qytetarëve, që kanë votuar për një përfaqësues i cili nuk mundet të ulet në ndenjësen e tij në Parlamentin Evropian.
Gjithashtu, duhet theksuar se armiqësia ndaj entiteteve ndërkombëtare nuk është e kufizuar vetëm me BE-në. Shteti spanjoll duket se nuk ka vlerësim maksimal as për organizata të tjera si Kombet e Bashkuara për shembull. Majin e kaluar, një grup pune nga OKB-ja me në fokus paraburgimin arbitrar kërkoi lirimin e të burgosurve politikë katalanas, mes të cilëve edhe Oriol Junqueras, sepse burgosja e tyre u konsiderua “arbitrare dhe kundër parimeve të deklaratës universale të të drejtave të njeriut”. Ata janë ende në burg edhe sot e kësaj dite.
“Në periudha krizash lindin shpikjet dhe strategjitë e mëdha. Atëherë le të përfitojmë nga avantazhi i krizës së besimit për të filluar një reformë që shkon drejt krijimit të një Evrope më të bashkuar, një njësi federale ku zërat e qytetarëve të saj të përfaqësuar në Parlamentin Evropian të jenë më vendimtare”.
Triumfi i “Brexit”-it, shfaqja e politikanëve të tillë si Orban apo Salvini, rikthimi i supremacisë nacionaliste dhe, në përgjithësi, shfaqja e sërishme e sjelljeve autoritare si ato të adoptuara nga shteti spanjoll përkundrejt disidentëve politik, na tregon neve se diçka po shkon keq. Sjelljet e vjetëruara të shtet-kombeve shuhen me vështirësi shumë të mëdha.
Por, pikërisht në periudha krizash lindin shpikjet dhe strategjitë e mëdha. Atëherë le të përfitojmë nga avantazhi i krizës së besimit, për të filluar një reformë që shkon drejt krijimit të një Evrope më të bashkuar, një njësi federale ku zërat e qytetarëve të saj të përfaqësuar në Parlamentin Evropian të jenë më vendimtare. Një Evropë ku drejtësia sociale dhe parimet demokratike të jenë baza e çdo vendimi komunitar, apo një Evropë që nuk tërhiqet përpara shkeljeve të të drejtave themelore. E thënë shkurt, na lejoni të ndërtojmë një Evropë që nuk vendos interesin e vendeve anëtare përpara të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Shënim: Diana Riba i Ginerështë eurodeputetë nga radhët e “Esquerra Republicana de Catalunya”.