Më 20 mars, Bashkimi Evropian akordoi një grant emergjence prej 7.5 milionë eurosh për Serbinë të luftuar pandeminë e COVID-19, që ka infektuar atje 149 persona dhe ka lënë një viktimë.
“Sa herë Serbia do të na thërrasë, ne do të jemi këtu”, u shpreh ambasadori i BE-së në Beograd, Sem Fabrizi, ndërsa ministrja serbe e Integrimit Evropian, Jadranka Joksimovic deklaroi se, nga këto 2 milionë euro do të përdoren për transportimin e medikamenteve shëndetësore nga Kina dhe India.
Pak ditë më parë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç mbajti një fjalim kritikues ndaj BE për mungesën e solidaritetit ndaj situatës së coronavirusit në vend dhe tha se do të mbështetej kryesisht tek ndihma e Kinës.
Aktualisht BE gjendet në mes të krizës shëndetësore të shkaktuar nga pandemia COVID-19, ku shumë shtete anëtare kanë raportuar për të infektuar dhe viktima, me Italinë më të prekurën.
Një zëdhënëse e Komisionit Evropian për Zgjerimin, ka bërë të ditur se BE po peshon mundësitë për të ofruar mbështetjen më të mirë në ndikimin socio-ekonomik të COVID-19 në Ballkanin Perëndimor.
We are looking at how to associate and best offer support to mitigate socio-economic impact of #COVID19 in WB, including possibility of redirecting the IPA funding and state aid rules flexibility. Solidarity is needed. This is not the time for polemic or unfounded recriminations
— AnaPisonero (@APisoneroECSpox) March 16, 2020
Gjithashtu më 20 mars, ambasadorja e BE në Kosovë Nataliya Apostolova lajmëroi se kishte patur një telefonatë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ku e kishte përgëzuar për masat e marra dhe kishte premtuar ndihmën e BE në këtë periudhë të vështirë shëndetësore dhe ekonomike.
Megjithatë lajmi i ndihmës së ofruar nga BE tek Serbia ka nxitur reagime ironike në Twitter nga shtetasit e Kosovës.
Vlora Çitaku, ambasadore e Kosovës në SHBA, publikoi një foto ku krahasoi lajmet e ndihmës monetare ndaj Serbisë dhe angazhimeve telefonike ndaj Kosovës.
Mbishkrimi i postimit ishte: Solidariteti i BE, veprime jo fjalë.
EU solidarity, actions not words.
Two tweets say it all. pic.twitter.com/1iJD6Za3gL
— Vlora Çitaku (@vloracitaku) March 21, 2020
Përgjigjet ndaj këtij krahasimi ishin të shumëta, ku disa nga komentuesit në Twitter u shprehën se kjo ishte një sjellje tipike ndaj Kosovës.
“Mos na lini në baltë, që as ne mos t’ju zhgënjejmë,” nxiste një përdorues, ndërsa një tjetër shkruante “Për neve si zakonisht ‘përkrahje morale’ prej BE-së”.
Megjithatë, të tjerë ua vunë fajin politikanëve dhe korrupsionit në Kosovë.
“Solidariteti në Kosovë, do të thotë t’i jepet fund korrupsionit dhe qeverive të stilit mafioz dhe pastaj të tjerët do të na trajtojnë si të barabartë,” shprehej një përdorues i rrjetit social.