Twitter duhet të përshtatet plotësisht me rregullat e reja europiane pavarësisht nga qëllimet e Elon Musk në lidhje me lirinë e fjalës, paralajmëroi Komisioni Europian.
Rregullorja e re parashikon që platformat e mediave sociale kanë detyrimin të heqin “menjëherë” çdo përmbajtje të paligjshme.
Komisioneri i Tregut të Brendshëm të BE-së, Thierry Breton, tha se rrjeti social , i cili do blihet nga Elon Musk, duhet të pajtohet me Aktin e Shërbimeve Dixhitale të BE-së, duke frenuar fuqinë e teknologjisë së madhe.
Elon Musk ka premtuar më shumë liri shprehjesh në postime në ‘Twitter’, duke ndezur debate të ashpra për të ardhmen e rrjetit social, me shqetësime se platforma mund të bëhet më toksike, por ai pranoi se kishte kufizime të vendosura me ligj.
Akti i Shërbimeve Dixhitale, i cili do hyjë në fuqi pas disa muajsh pas përfundimit të procesit legjislativ, përditëson direktivën 20-vjeçare të BE-së për tregtinë elektronike, ku qëllimi është t’i jepet fund paligjshmërisë dhe abuzimit në internet, duke mbrojtur më mirë të drejtat e përdoruesve.
Sipas një monitorimi nga Brukseli, këto kompani të mediave sociale do të duhet të vlerësojnë vetë rreziqet që lidhen me përdorimin e shërbimeve të tyre dhe të vendosin mjetet e duhura për të hequr përmbajtjen problematike.