SPAK ka reaguar për Euronews Albania lidhur me pretendimet e Partisë së Lirisë (PL), e cila tha se kryetari i saj, Ilir Meta, nuk u lejua të vizitohej në burg nga euro-deputeti Fredi Beleri dhe deputeti Vangjel Dule.
Sipas SPAK, miratimi i lejes për vizita jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe, në protokollin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga shtetasit Alfred Beleri dhe Vangjel Dule për të takuar ndonjë të paraburgosur.
“Në bazë të nenit 51 të ligjit nr. 81 të vitit 2020, ‘Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve’, deputetët mund të vizitojnë të paraburgosurit pa autorizimin paraprak të Prokurorit. Në këtë rast, miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Deri në orën 15:15 të datës 31.01.2025, nuk ka mbërritur asnjë kërkesë për takimin e ndonjë të paraburgosuri nga Alfred Beleri dhe Vangjel Dule,” thuhet në përgjigjen e SPAK.
Kujtojmë se këtë të premte, Partia e Lirisë pretendoi se deputeti Vangjel Dule dhe euro-deputeti Fredi Beleri ishin penguar të takonin në burg Presidentin e PL-së, Ilir Metën.
Duke iu referuar nenit 43 të ligjit për Burgjet, Sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha se Dule dhe Beleri nuk kishin nevojë për autorizim për të takuar Metën në burg, duke akuzuar SPAK-un për shkelje të ligjit.
“SPAK, i vetëshpallur mbi ligjin, shkel rëndë të drejtat e njeriut, duke provuar aspektin kriminal të kësaj strukture, që funksionon vetëm si ‘vegël qorre’ e Edi Ramës,” shkruan Blushi. Ai shton se kjo shkelje nuk mund të tolerohet dhe i bën thirrje institucioneve ndërkombëtare të reagojnë për të dënuar këtë “akt skandaloz”.
Pjesë nga postimi i Blushit në Facebook:
“Në shkelje flagrante të ligjit dhe të drejtat e njeriut, SPAK ka penguar sot dhunshëm deputetin dhe kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule, dhe eurodeputetin Fredi Beleri të takohen me Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në ambientet e burgut 313 në Tiranë.”
Gjithashtu, për këtë rast ka reaguar edhe avokati i Ilir Metës, Genc Gjokutaj. Ai tha se Dule dhe Beleri ishin ndaluar në mënyrë brutale për të takuar Metën, duke iu thënë se duhej një autorizim ligjor nga SPAK.
“Zoti Beleri dhe zoti Dule janë paraqitur në burgun 313 për të takuar zotin Meta. Ata nuk iu drejtuan SPAK-ut pasi ligji deputetët i përjashton nga autorizimi i SPAK-ut. Ata nuk janë lejuar në mënyrë brutale dhe antiligjore të takohen me zotin Meta. E denoncoj këtë, pasi zoti Meta është lideri i dytë i opozitës dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me çështjen. I kanë thënë që duhej të merrnin autorizim ligjor nga SPAK,” tha Gjokutaj për gazetarët para SPAK-ut.
LEXONI GJITHASHTU:
- Braçe flet për deklaratat e Arben Ahmetaj: Si reflektim lexoj librin “Mashtruesi”
- Ndarja nga jeta e Kryepeshkopit Anastas Janullatos, Meta: Ishte shembull frymëzues