Testet e ADN-së kanë treguar se ish-mbreti i Belgjikës, Alberti II është babai biologjik i artistes belge Delfine Boel. Lajmin e ka bërë të ditur avokati i ish-monarkut, i cili i ka dhënë fund debateve mbi atësinë e tij që zgjasnin prej një dekade.
Alberti II, që abdikoi 6 vjet më parë në favor të të birit Filip, prej kohësh i kishte kontestuar pretendimet e Boel, por dha një kampion ADN-je majin e kaluar pas një urdhëri gjykate.
Testi tregon se ai është babai biologjik i Boel, ka konfirmuar avokati i ish-mbretit.
Vetë artistja ka deklaruar se i intereson më shumë njohja e atësisë sesa të ardhurat që mund të vijnë prej babait të saj. Ajo është më e re se tre fëmijët që Alberti II ka me mbretëreshën Paola, bashkëshortja e tij italiane.
E ardhshmja në linjën e fronit është princesha 17-vjeçare Elisabeth, e bija e Filipit dhe mbretëreshës Matild.
Identiteti i Boel u kthye në një çështje debati pas publikimit në vitin 1999 të një biografie të mbretëreshës Paola, ku ajo pretendonte se Albert kishte patur një marrëdhënie jashtëmartesore, nga e cila në vitet ‘60 kishte lindur një vajzë.