Një francez 102-vjeçar kërkon 43 mijë euro nga Franca për punën e detyruar që kreu në Gjermani gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Dua të ndihem krenar që jam francez dhe të jem në gjendje ta lë pas meje këtë histori franko-gjermane. Ndihem i tradhtuar nga politikanët,” tha për Euronews Albert Corrieri, i cili do të mbushë 103 vjeç këtë vit.
Corrieri ishte vetëm 21 vjeç kur oficerët gjermanë e morën nga restoranti në Marsejë, ku ai punonte si hidraulik. Ai u dërgua në Gjermani si pjesë e programit të Shërbimit të Detyrueshëm të Punës (STO) të miratuar nga qeveria franceze Vichy në 1943.
Corrieri punoi në fabrikën kimike IG Farben në kampin Ludwigshafen derisa u çlirua nga ushtarët amerikanë më 15 prill 1945.
Pothuajse tetë dekada pas përfundimit të punës së tij të detyruar, njëqindvjeçari ka ngritur një çështje kundër shtetit francez, duke argumentuar se atij duhet t’i paguhet 43,000 euro kompensim, ekuivalente me afërsisht 10 euro në orë, për më shumë se dy vjet punë që ai kreu kundër vullnetit të tij gjatë luftës.
Corrieri i tha Euronews se ai kishte luftuar për të marrë një dëmshpërblim që nga vitet 1950.
“Nuk kam arritur askund, por vitin e kaluar një mik historian më rekomandoi ta çoja çështjen në gjykatë”, tha ai.
Koha nuk është në anën time, nuk mund të përballoj që kjo të vazhdojë edhe shumë. Marrja e parave është për dinjitet, është ajo që më detyrohet dhe do t’ua kaloj fëmijëve të mi nëse nuk mund t’i shpenzoj të gjitha”, shtoi Corrieri.
102-vjeçari mori pjesë në një seancë për rastin e tij në Marsejë të martën.
Gjatë seancës dëgjimore, raportuesi publik i gjykatës deklaroi se një ligj i 1951 – i cili lejon punëtorët e detyruar të kërkojnë dëmshpërblime nga shteti francez – funksionon nën një statut kufizimesh nga viti 1955 e në vazhdim.
Sipas këtyre kushteve, do të ishte tepër vonë për Corrieri – i cili është në pritje të një vendimi gjyqësor më 18 mars – për të paraqitur kërkesën e tij për dëmshpërblim.
Michel Pautot, avokati i Corrierit, i tha Euronews se ai besonte se çdo vendim i tillë do të ishte një shkelje e ligjit ndërkombëtar.
“Klienti im u deportua dhe u skllavërua, që të dyja janë krime kundër njerëzimit. Këto krime nuk janë të parashkruara, kështu që nëse gjykata refuzon kërkesën tonë do të thotë se ka një standard të dyfishtë për krimet kundër njerëzimit,” tha ai.
LEXONI GJITHASHTU:
- Franca dhe Filipinet kryejnë stërvitje të përbashkëta detare në Detin e Kinës Jugore
- Franca dhe Filipinet kryejnë stërvitje të përbashkëta detare në Detin e Kinës Jugore