Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë këtë të shtunë në konferencën ndërkombëtare “Global She: Voices of Power, Unity, and Change”, e mbajtur në Tiranë, ku u diskutua roli i gruas në shoqërinë shqiptare dhe sfidat që ajo përballet sot.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se Partia Demokratike ka si një nga objektivat kryesore luftën kundër “murit të patriarkisë”, të cilin e cilësoi si “dhunuesin më të madh të lirive dhe të drejtave të njeriut në botë”.
Ai solli në vëmendje se gjatë qeverisjes së PD-së, u ndërmorën hapa konkretë për përmirësimin e pozitës së grave, duke ulur diferencën gjinore në paga nga 36% në 17.8% dhe duke mbështetur pjesëmarrjen e grave në biznes dhe në jetën publike.
Gjatë fjalimit, Berisha akuzoi ashpër qeverinë aktuale të kryeministrit Edi Rama, duke e konsideruar periudhën e fundit 12-vjeçare si më të vështirën për gratë dhe vajzat shqiptare.
“Këto 12 vite kanë qenë më të vështirat për vajzat dhe gratë shqiptare, më të vështira se në çdo vend tjetër në Europë. Ato janë përballur me pasojat e narkoshtetit, dhunës, drogës dhe fatkeqësive që kanë hyrë në çdo vatër familjare”, deklaroi Berisha.
Ai e akuzoi Ramën për mungesë reagimi ndaj dhunës ndaj grave dhe e cilësoi atë si “mizogjen” dhe “të njohur për dhunë ndaj grave”. Berisha theksoi se nën qeverisjen aktuale, Shqipëria ka njohur nivele alarmante të përdorimit të drogës dhe rritje të krimeve ndaj grave, në kundërshtim me traditat shqiptare.
Në konferencë ishin të pranishëm përfaqësues nga vende të ndryshme, mes tyre edhe ministrja kroate, zyrtarë të lartë ndërkombëtarë si Elmar Brok dhe Antonio Lopez nga Partitë Popullore Europiane.
LEXONI GJITHASHTU:
- Berisha nga Himara: Paprekshmëria e pronës do të jetë përparësi absolute e PD
- Berisha: Qeveria do të paguajë sigurimet shoqërore për punësimin e të rinjve