Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar sot, gjatë një komunikimi për mediat, disa video nga procesi i votimit në zgjedhjet e 14 majit në disa bashki që sipas tij dëshmojnë vjedhjen e votave.
Berisha the se nga shqyrtimi i vetëm 6 nga 133 qendrave të bashkisë Kamzë janë gjetur 240 ndërhyrje manipulative, mes të cilave “rasti i operatorit Haxhi Gusja, voton vetë me disa karta identiteti në qendrën e votimit 1577/1 në Valias”.
Më tej Berisha tregoi video nga procesi i numërimit në Elbasan ku sipas tij, operatori voton disa herë në vend të zgjedhësve.
“Ne po bëjmë çdo gjë për t’u paraqitur shqiptarëve kriminalizimin e plotë të farsës elektorale 2023.
Të dhënat tona të tjera flasin se në Elbasan është përdorur gjerësisht kjo praktikë kriminale dhe asgjë nuk qëndron në rezultatin e këtyre zgjedhjeve”, tha Berisha.