Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë këtë të shtunë në forumin “Fuqia e Grave në Politikë”, ku ishte e pranishme edhe Presidentja e EPP Women, Doris Pack. Gjatë fjalës së tij, Berisha kritikoi ashpër qeverinë e Kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për krijimin e një regjimi narkodiktatorial në Shqipëri.
Berisha theksoi se Rama ka realizuar një projekt të tijin, atë të një Shqipërie pa opozitë, duke arrestuar tre liderë të opozitës dhe duke përdorur shtetin për të pasur kontroll të plotë mbi jetën politike dhe shoqërore. “Shëtiste në Europë dhe botë me atlete të bardha, duke u paraqitur si piktor apo sportist, ndërkohë që ishte ai që arrestonte liderët e opozitës,” tha Berisha.
Berisha gjithashtu theksoi se prokuroria speciale në Shqipëri, e cila shpesh lavdërohet për punën e saj, është nën kontrollin e pushtetit dhe nuk merret me asnjë çështje që ka lidhje me Kryeministrin. Ai shtoi se në Shqipëri, opozita dhe ata që janë kundër pushtetit janë ndjekur, arrestuar dhe burgosur pa prova, si një mënyrë për të shuar çdo formë kundërshtimi.
Sali Berisha: Unë kam një mirënjohje të veçantë për të gjitha ju sepse në një proces kafkian që pësoi PD, në të vetmen narkodiktaturë të instaluar në Europë, presidenca e gruas së PPE, presidentja e nderit zonja Doris Pack dhe ju zonja të nderuara, keni dhënë mbështetjen tuaj për PD-në, për gruan demokratike, që luajti dhe luan një rol të jashtëzakonshëm në betejën kundër këtij regjimi, të cilin Europa nuk e ka njohur në historinë e vet.
Është narkoshteti i parë që instalohet në Europë.
Në rast se 20 vite më parë lexova se narkodiktaturat janë forma më e shëmtuar e diktaturave, shkruante Samuel Hungtington, asokohe duke ardhur nga një diktaturë staliniste, siç ishte Shqipëria, nuk u binda shumë.
Por kur përjetoj këtu këtë realitet, ajo është një e vërtetë e madhe. Kjo narkodiktaturë ka pasur probleme të shumanshme.
Së pari, ndonëse shkruhet gjerësisht dhe është analizuar gjerësisht, përsëri edhe lehtë nuk pranohet. Nuk pranohet sepse ndërtimi i kësaj narkodiktature u mbështet nga administrata e shkuar e SHBA, por në njëfarë mënyrë u bekua me heshtje edhe nga BE.
Dhe kjo bëri që narkodiktatori i këtij vendi të shëtisë në Europë dhe botë me atlete të bardha, të hiqet si piktor apo sportist, në një kohë kur ai ishte personi që arrestonte tre liderë të opozitës në projektin e tij Shqipëria pa opozitë.
Dhe jo vetëm i arrestonte ata tre liderë, por njërin prej tyre e brutalizonte në mënyrën më të dhunshme nën kamera, duke e filmuar, vetëm për të shfryrë hakmarrjen e tij ndaj kundërshtarit dhe për të terrorizuar popullatën.
Ju jeni këtu në një vend që po të shihni, ka plot media, por problemi i tyre është se ato të gjitha, përveç një ose dy, kanë një kontroll rigoroz nga zyra e narkodiktatorit.
Shqipëria ka një prokurori, e cila lavdërohet në mënyrë të paimagjinueshme gjerësisht.
Por kjo prokurori speciale është një prokurori, e cila nuk prek asnjë aferë që shkon tek narkodiktatori.
Ndërkohë që arreston, burgos, pa prova, vetëm si persona nën hetim liderët e tre partive kryesore opozitare, merr mandate deputetësh, merr mandate të zgjedhurish vendorë nga opozita.
Sot kemi deputetë në burg, kemi të tjerë drejtues në arrest shtëpie.