Berlini është duke ngrirë qiratë e 1.5 milionë apartamenteve për pesë vitet e ardhshme.
Kjo është një masë që ka ngjallur shumë debate, dhe kryeqyteti po e përdor për të mos lejuar rritjen e vazhdueshme të çmimeve, të cilat po i detyrojnë njerëzit të largohen.
Berlini është qyteti i parë gjerman që ka ndikuar çmimet e qirasë në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Ligji ka pasur mbështetës, pasi shihet si një përpjekje për të sjellë më shumë barazi mes njerëzve.
Megjithatë, edhe kritikat kanë qenë të shumta, pasi shihet si një metodë tepër socialiste.
Masa është marrë nga partia e majtë që është në pushtet, dhe është kundërshtuar fort nga partia e djathtë e Angela Merkelit.
Numri i banorëve të Berlinit që janë pronarë të shtëpive ku jetojnë është shumë i vogël.
Ndryshe nga pjesa tjetër e vendit, shumica e berlinezëve jetojnë bë banesa me qira dhe nuk i blejnë pronat.
Pas rënies së murit, në vitin 1989, kryeqyteti gjerman u kthye në një parajsë për apartamente me çmim të lirë, në zonën e varfëruar të lindjes.
Kjo bëri që shumë artistë dhe persona të ndryshëm të dynden në atë zonë e të ndjekin një stil jete më bohemian.
Por me rritjen e qytetit dhe me zhvillimin e ekonomisë, familjet e shtresës së mesme janë detyruar të largohen nga qyteti, pasi nuk kanë përballuar dot më qiratë.
Edhe lagjet që kanë qenë tradicionalisht për emigrantët që punojnë, si Nojkoeln dhe Krejzberg, kanë pasur aq shumë kërkesa sa banorët nuk e përballojnë dot më rritjen e qirasë.
Mungesa e banesave të reja ka bërë gjithashtu që të rinjtë ta kenë të vështirë të përshtaten, sidomos kur duhet të gjejnë shtëpi të përballueshme për punën që bëjnë.
Ligji i ri synon që për pesë vite t’i mbajë të pandryshuara çmimet e qirave për apartamentet që janë ndërtuar para vitit 2014.