Largimi i popullsisë së aftë për punë po bën që biznesi lokal në Qarkun e Gjirokastrës të përballet me vështirësi për sigurimin e fuqisë punëtore.
Pranë Dhomës Rajonale të Tregtisë në Gjirokastër janë të regjistruar rreth 400 biznese të mëdha dhe të mesme, të cilat aktualisht përballen me probleme për gjetjen e krahut të punës. Në këtë situatë një pjesë e bizneseve është përpjekur që të sjellë fuqi punëtore nga jashtë vendit.
“Qarku i Gjirokastrës ka shumë largime të moshës së aftë për punë dhe këtë problematikë e kanë hasur pothuajse të gjitha bizneset. Pjesa më e madhe e bizneseve prodhuese që ndodhen në bashkinë e Dropullit e kanë zgjidhur në një farë mënyre me marrjen e fuqisë punëtore të huaj nga jashtë, nëpërmjet kontratave me agjenci punësimi. Edhe turizmi ka pasur atë problematikë, megjithatë për këtë vit pothuajse u kalua kjo pjesë e punësimit, por ajo problematikë vazhdon”, thotë Maksim Hoxha, kryetar i Dhomës Rajonale të Tregtisë Gjirokastër.
Më të prekur nga mungesa e fuqisë punëtore janë turizmi dhe fasoneritë. Këta dy sektorë përballen me probleme për sigurimin e punonjësve edhe si shkak i vështirësive financiare që ka sjellë rënie e euros në kursin e këmbimit valutor.
“Problem i fasonerive, dihet që në Qarkun e Gjirokastrës janë mbi 10 fasoneri që funksionojnë të cilat me kursin e këmbimit kanë pësuar një goditje të rëndë sepse dihet që ato paguajnë krahun e punës. Edhe pse kushtet e punës nëpër këto fasoneri janë rritur ndjeshëm për të punësuarit, si në paga, si në kushte pune në bazë të kodit dhe legjislacionit të punës, megjithatë goditja me kursin e euros ka sjellë një problematikë për këto”, shprehet Hoxha.
Në Qarkun e Gjirokastrës zhvillojnë aktivitetin rreth 2 400 biznese prodhuese dhe tregtare, të cilat kanë një numër të konsiderueshëm punonjësish që sigurojnë të ardhurat mujore për familjet.
LEXONI GJITHASHTU:
- Atmosfera e festave të dhjetorit, ndizen dritat në Korçë, Sarandë e Gjirokastër
- Sali Berisha regjistrohet në Gjykatën e Tiranës si kryetar i PD