4 muaj pas largimit nga Juventus, Leonardo Bonuçi duket se nuk e ka harruar klubin në të cilin kaloi vitet e arta. Në një intervistë për mediat spanjolle, qendërmbrojtësi rrëfeu eksperiencën tek Union Berlin, ndërsa u ndal dhe tek e ardhmja.
Për 36-vjecarin kalimi në Gjermani ishte i vështirë, ndërsa ky do të jetë sezoni i fundit si futbollist.
“Transferimi në Gjermani ishte ndryshimi i madh për mua, ishte e vështirë në fillim pasi jam edhe vetëm, familja ime jeton në Torino. Isha në një qytet që nuk e njihja, megjithatë pak nga pak situata ndryshoi dhe nisa të ambientohesha. Tani mund të them se jam i lumtur dhe po e shijoj këtë eksperiencë”, deklaroi Bonuçi.
Më tej, Bonuçi ka pohuar se e ka në plan kthimin tek Juventus, por tanimë jo si futbollist.
“Një rikthim? Është një nga objektivat e mi. Dua shumë të bëhem trajner dhe nëse ia dal ta ushtroj këtë profesion në elitë, atëherë dua të trajnoj Juventusin. I jam mirënjohës Andrea Agnellit, Marrotës, Paraticit dhe Nedved. Trajneri që më ka ndryshuar dhe përmirësuar më shumë është Antonio Conte”, tha ai.
Leonardo Bonucci iu bashkua Juventusit në vitin 2010 ku qëndroi për 7 sezone radhazi, më pas për t’u larguar drejt Milanit ku qëndroi vetëm 1 vit dhe u rikthye sërish në Torino. Në dy periudhat e qëndrimit tek bardhezinjtë numëron afro 400 paraqitje.