Një tërmet i fuqishëm ka tronditur Turqinë dhe Greqinë mesditën e së premtes duke shkaktuar vdekjen e të paktën tetë personave dhe lëndimin e mbi 250 të tjerëve.
Autoritetet turke raportuan se lëkundja më e fortë u regjistrua rreth orës 14:51 (me orën lokale) me magnitudë 6.6 të shkallës Richter me epiqendër 16.5 kilometra në jugperëndim të Izmirit, 13 kilometra larg ishullit grek të Samos në Egje.
Mirëpo Qendra Evropiane dhe Mesdhetare e Sizmologjisë e raportoi këtë lëkundje të magnitudës 6.9 ndërsa Qendra Amerikane e Vëzhgimit Gjeologjik të magnitudës 7. Mendohet se lëkundja e fortë ka zgjatur rreth 15-30 sekonda.
Qyteti prej katër milionë banorësh i Izmirit në Turqinë perëndimore raportohet të jetë më i prekuri. Kryebashkiaku Tunç Soyer tha se rreth 20 pallate janë rrënuar.
Duke raportuar nga Izmiri, gazetari Sokol Brahaj, tha për Euronews Albania se nga ekipet e kërkim-shpëtimit deri më tani janë shpëtuar rreth 120 persona, 75 prej të cilëve në qyteti dhe të tjerët nga rrethinat.
Deri në orën 17:00, departamenti i Emergjencave Civile në Turqi raportoi për të paktën gjashtë viktima. Ndërkohë në ishullin grek të Samosit humbën jetën dy të mitur 15-17 vjeçarë.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan përmes një postimi në Twitter shkroi se do bëhen përpjekjet maksimale për të shpëtuar këdo.
“Jemi me qytetarët tanë të prekur nga tërmeti me të gjitha mundësitë e shtetit tonë. Ndërmorëm aksionin për fillimin e punimeve të nevojshme në rajon me të gjitha institucionet dhe ministrat tanë të lidhur”, shkroi Erdogan.
İzmir’de meydana gelen #deprem‘den etkilenen tüm vatandaşlarımıza geçmiş olsun.
Devletimizin tüm imkanlarıyla depremden etkilenen vatandaşlarımızın yanındayız. İlgili tüm kurumlarımızla, bakanlarımızla bölgede gerekli çalışmalara başlamak için harekete geçtik.
— Recep Tayyip Erdoğan (@RTErdogan) October 30, 2020
Media turke raportojnë se tërmeti u ndje në të gjitha rajonet e Egjeut dhe Marmara, ku ndodhet Stambolli. Kryebashkiaku Ekrem İmamoğlu tha se nuk kishte raportime për dëme.
Lëkundjet u ndjenë gjithashtu në gjithë ishujt lindorë grekë dhe madje edhe në Athinë. Mediat greke bënë me dije se ishulli i Samosit prej rreth 45 mijë banorësh është vënë në gjendje emergjence. Shumë banorë janë shpërngulur nga shtëpitë, ndërsa janë raportuar për rënie gurësh në zonën rurale të ishullit.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis shkroi në Twitter se ka mbajtur ndëlridhje me autoritetet lokale dhe u bëri thirrje banorëve të atjeshëm që të bëjnë durim për pasgoditjet ndërsa Athina kishte nisur menjëherë grupet e emergjencës për të përballuar situatën.
I just called President @RTErdogan to offer my condolences for the tragic loss of life from the earthquake that struck both our countries. Whatever our differences, these are times when our people need to stand together.
— Prime Minister GR (@PrimeministerGR) October 30, 2020
Më vonë ai njoftoi se kishte telefonuar Presidentin turk Erdogan për t’i përcjellë ngushëllime për njerëzit që humbën jetën nga tërmeti që goditi dy vendet.
“Cilatdo qofshin diferencat mes nesh, këto janë kohë kur njerëzit tanë nevojitet të qëndrojnë së bashku,” – shkroi Mitsotakis në Twitter.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen deklaroi përmes një postimi në Twitter se BE “po e ndjek situatën dhe qëndron në gatishmëri për të ndihmuar”.
Zona e Egjeut njihet për aktivitetin e lartë sizmik ku herë pas here ka tërmete të fuqishme.
Më 21 korrik 2017 një tërmet i magnitudes 6.6 të shkallës Richter tronditi dy vendet duke shkaktuar dy viktima dhe më shumë se 120 të plagosur kryesisht në ishujt grekë. Epiqendra ishin ishujt juglindor të Greqisë.
Turqia gjithashtu është shumë e prekur nga tërmetet e forta. Një nga më të fortët u regjistrua më 17 gusht 1999, në zonën gjeografike të Marmarasë. Lëkundjet ishin me magnitudë 7.4 i shkallës Richter dhe shkaktuan 17 mijë viktima.
Lexoni gjithashtu:
Ambasadori shqiptar në Turqi: Deri tani nuk kemi informacion për shqiptarë të dëmtuar në Izmir
Tërmeti në Turqi, sizmiologu shqiptar: Priten pasgoditje të tjera me magnitudë të konsiderueshme