Shteti Islamik i Khorasanit ka marrë përsipër përgjegjësinë për dy sulmet vetëvrasëse në aeroportin e Kabulit, që vranë rreth 90 persona dhe plagosën 150 të tjerë.
Por kush është ky grup dhe cilët janë objektivat e tij?
Sipas mediave ndërkombëtare, grupi është më ekstremi dhe më i dhunshmi i të gjitha fraksioneve xhihadiste në Afganistan.
Ai ka lindur në provincën e Kohrasanit, ndaj dhe njihet me akronimin ISIS-K dhe është aktiv si në Afganistan ashtu edhe në Pakistan.
Grupi është fajësuar për disa nga mizoritë më të rënda të viteve të fundit, pasi ka sulmuar shkollat e vajzave, spitalet, maternitetet dhe ka ekzekutuar gra e fëmijë.
Anëtarët e tij janë pjesë e rrjetit global të Shtetit Islamik, që synon të kryejë sulme ndaj objektivave perëndimorë, ndërkombëtarë dhe humanitarë, kudo në botë.
ISIS-K ka lidhje me një fraksion të talebanëve, rrjetin Hakani. Por me guerrilasit ata kanë dallime të shumta, pasi i akuzojnë se kanë braktisur luftën e shenjtë në favor të një marrëveshjeje paqeje të negociuar.
Ajo që mund të thuhet me siguri është se luftëtarët e ISIS-K tani përbëjnë sfidën kryesore për qeverinë e ardhshme talebane.