Trupat ruse po drejtohen përsëri në bazat e tyre të përhershme pasi përfunduan me sukses stërvitjet ushtarake, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes.
Majori Igor Konashenkov, zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes tha të martën se me përfundimin e stërvitjes ushtarake, trupat ushtarake do marshojnë drejt pikave të dislokimit të përhershëm.
“Njësitë ushtarake jugore dhe perëndimore që kanë përfunduar stërvitjen e tyre tashmë kanë filluar ngarkimin e automjeteve hekurudhore dhe motorike dhe sot do të fillojnë të lëvizin në garnizonet e tyre ushtarake, shtoi ai në një video të publikuar në Facebook.
Më herët gjatë javës, presidenti Joe Biden u kërkoi shtetasve amerikane që të largohen nga Ukraina sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi sipas tij pushtimi rus është shumë pranë.
Në të njëjtën linjë vijuan edhe një sërë shtetesh të tjera, përfshi edhe Shqipërinë.
Këtë të martë kancelari gjerman Olaf Scholz shkon në Moskë, vizitë që është cilësuar si përpjekje për të bindur presidentin Putin të qëndrojë larg aksioneve ushtarake.
Një ditë më parë Scholz ishte në Kiev ku shprehu solidaritet me Ukrainën.
“Ne jemi përgatitur të kemi një dialog serioz me Moskën për të gjitha çështjet e sigurisë. NATO dhe SHBA i bënë disa propozime Rusisë që ne i mbështesim. Presim reagim nga Rusia”, u shpreh kancelari Scholz.
Rusia zhvendosi rreth 100 mijë trupa bashkë me tanke dhe raketa pranë kufirit me Ukrainën gjatë muajve të fundit, duke shtuar shqetësimet se mund të pushtonte fqinjin e vet, një akuzë me të cilën Moska është përballur vazhdimisht.
LEXONI GJITHASHTU: