Qytetarët e Bashkimit Europian mund të jenë në gjendje të kërkojnë kompensim nga qeveritë nëse shëndeti i tyre është prekur nga ndotja e ajrit, tha një këshilltar i lartë gjyqësor.
Juliane Kokott, Avokatja e Përgjithshme në Gjykatën Europiane të Drejtësisë, tha se qeveritë e BE-së do jenë përgjegjëse nëse nuk kanë arritur të përmbushin premtimet për cilësinë e ajrit.
Ky opinion erdhi pasi një qytetar i Parisit kërkoi 21 milionë euro dëmshpërblim nga Franca, duke pretenduar se ndotja e ajrit në kryeqytetin francez i kishte dëmtuar shëndetin.
Paditësi kishte argumentuar se shteti francez mbante përgjegjësi sepse nuk garantonte respektimin e kufijve të BE-së .
Kokott ra dakord që Franca mund të paditet edhe pse ishte e vështirë të provohej një “lidhje e drejtpërdrejtë shkakësore” midis shkeljes serioze të rregullave për cilësinë e ajrit dhe dëmtimit specifik të shëndetit.
Ajo shtoi se shtetet anëtare mund të shfajësohen duke vërtetuar se ndotja e ajrit do të kishte ndodhur akoma, nëse ata do të kishin miratuar plane të mjaftueshme për cilësinë e ajrit në kohë.
Mendimet e Avokatëve të Përgjithshëm nuk janë të detyrueshme, por zakonisht ndiqen nga gjykata me qendër në Luksemburg.
Në vitin 2019, Gjykata Europiane e Drejtësisë zbuloi se Franca kishte tejkaluar “sistematikisht dhe në mënyrë të vazhdueshme” kufirin vjetor për dioksidin e azotit që nga viti 2010.
Vitin e kaluar, gjykata e lartë administrative e Francës gjobiti qeverinë e presidentit Emmanuel Macron me një shumë prej 10 milionë eurosh për dështimin e uljes së ndotjes së ajrit në nivele të pranueshme.
LEXONI GJITHASHTU