Nëse Toskana ka “Kiantin”, rajoni italian i Emilia Romanjës ka “Luginën e Motorëve”, një nga zonat ku prodhohen makinat dhe motorët sportivë më luksozë në botë.
E njohur ndryshe si Toka e Motorëve, ajo mbulon rreth 1 mijë kilometra katrorë tokë agrikulture mes Bolonjës dhe Modenës, si dhe është shtëpi e markave të njohura si “Lamborghini”, “Ferrari”, “Maserati” dhe “Ducati”.
“Është një mrekulli, mrekullia e Luginës së Motorëve, e atyre me 2 dhe atyre me 4 rrota, më të bukurit në botë, që prodhohen në një vijë toke që nga Parma në Bolonja, duke kaluar natyrisht përmes Modenës. Këtu prodhohen “Ferrari”, “Maserati”, “Lamborghini”, “Pagani” dhe “Dallara”, thotë Këshilltari për transportin dhe infrastrukturën, Andrea Corsini.
Nuk është rastësi që vendi që shpiku format e arkitekturës, Italia, të celebrojë përreth katedrales së Modenës, një kryevepër me stil romak, stilin e makinave të famshme sportive, që tregojnë se miti i futurizmit, ende tërësisht italian, ka shërbyer për të projektuar modernizmin.
Edhe “Bugatti”, pavarësisht se franceze, mban firmën e emigrantit italian Ettore Bugatti, një dizajner fantastik, emri i të cilit ndodhet në bulevardin e yjeve të automobilizmit.
“Në 2022-shin ne po prodhojmë diku tek 45 makina. Ato janë të veçanta pasi çdo klient ka shansin të jetë në kontakt me ne, të na vizitojë dhe të nisë rrugëtimin. Vetëm pritja është paksa e gjatë, pasi mund të shkojë deri në 2 vjet nga bërja e porosisë”, u shpreh djali i themeluesit të kompanisë “Pagani”, Christopher Pagani.
Në fabrikë, vetëm pak të rinj punojnë në laboratorin e fshehtë shkencor. Për kompaninë, pesha është gjithçka, ndaj dhe përdoren 40 fibra karboni të ndryshme, si dhe titan e alumin për t’i bërë makinat sa më të lehta.
LEXONI GJITHASHTU