Me inflacionin që vijon të rritet në zonën euro, Banka Qendrore Evropiane ka rritur sërish normat e interesit me tre të katërtat e një pikë përqindjeje.
Në tërësi, BQE ka përforcuar normat me 2 pikë përqindje në vetëm 3 muaj. Bëhet fjalë për rritjen më të shpejtë në historinë e bllokut 19-anëtarësh.
“Aktiviteti ekonomik në zonën euro ka gjasa të jetë ngadalësuar në tremujorin e tretë të vitit dhe ne presim një dobësim të mëtejshëm në pjesën e mbetur të këtij viti dhe në fillimin e atij të ardhshëm. Duke reduktuar të ardhurat reale të qytetarëve dhe duke rritur kostot për kompanitë, inflacioni i lartë do të vazhdojë të ndikojë tek shpenzimet dhe prodhimi. Edhe ndërprerjet e furnizimit me gaz kanë bërë që besimi mes konsumatorit dhe biznesit të bjerë, duke peshuar rëndë mbi ekonominë”, thotë Christine Lagarde, presidente e BQE-së.
Konsumatorët kanë nisur tashmë përballjen me çmimet rekord të karburanteve dhe shumë të tjerë duhet të bëjnë pagesat e shtëpive.
“Është një kosto ekstra, për disa i lartë, dhe na duhet të kemi parasysh se ekonomitë evropiane po ngadalësojnë ndjeshëm ritmin, me parashikimet për recesion në muajt e ardhshëm dhe në 2023-shin. Por nëse shohim atë që po ndodh aktualisht, është se besimi i konsumatorëve po bie. Të dhënat tregojnë se si konsumatorët edhe bizneset po e humbasin besimin. Ndaj nëse normat e interesit rriten, kjo nuk ndihmon aspak”, shprehet Vicky Pryce, eksperte, Qendra për Kërkimet Ekonomike dhe Biznesit.
Kostot nuk pritet të bien për sa kohë lufta në Ukrainë po i mban kostot e karburanteve të larta. Analistët parashikojnë një rritje me gjysmë pikë përqindjeje brenda vitit dhe më pas BQE do të ndalet. Por kushtet armiqësore ekonomike mund ta detyrojnë atë t’i rrisë më tej në 2023-shin.
LEXONI GJITHASHTU:
- Euro barazohet me dollarin për herë të parë në 20 vite
- Euro zhvlerësohet përballë dollarit, bie edhe paundi britanik