Çfarë do të ndodhë më 31 janar, kur Britania të largohet zyrtarisht nga Bashkimi Europian? Përveç disa festimeve që pritet të organizohen nga ata që votuan për Brexit, shumica e qytetarëve të Mbretërisë së Bashkuar si dhe Europa, nuk do të ndjejnë asnjë lloj ndryshimi.
Por për liderët politikë dhe negociatorët, 1 shkurti do të shënojë kalvarin e ndryshimeve që Brexit pret të sjellë: marrëveshje të reja për tregtinë dhe për kufijtë, rregulla të reja udhëtimi me BE-në dhe pjesën tjetër të botës.
Deri atëherë, afati prej 11 muajsh do të sigurojë që veprimet e përditshme dhe sfidat më të mëdha të projektit të Brexit, si për shembull udhëtimet, të drejtat e qytetarëve dhe emigracioni, të mos ndryshojnë të paktën deri më 31 dhjetor.
“Praktikisht asgjë nuk do të ndryshojë për bizneset apo për publikun,” ka njoftuar qeveria holandeze në faqen e saj të web-it në seksionin e gatishmërisë për Brexit.
Në të vërtetë, fundi i anëtarësimit 47-vjeçar i Britanisë në Bashkimin Europian duket se është po aq i nënvlerësuar sa dhe vetë hyrja e tij, më 1 janar të 1973-shit.
Brexit: çfarë do të ndryshojë më 31 janar?
Nuk ka më kthim pas. Duke filluar nga orët e para të së shtunës, Britania nuk do të mund të revokojë Nenin 50 dhe nuk do të jetë më pjesë e BE-së, vetëm nëse aplikon për tu anëtarësuar.
“Marrëveshja e Tërheqjes” e negociuar nga Theresa May dhe më pas e rishikuar nga Boris Johnson, kthehet në një traktat të detyrueshëm me ligj, në të kundërt me sanksione, ndërmjet BE-së dhe Britanisë.
Britania nuk do të jetë më pjesë e strukturave vendim-marrëse të BE-së; ministrat, duke përfshirë edhe kryeministrin Boris Johnson, nuk do të marrin pjesë në samitet e BE-së, vetëm në rast se janë të ftuar. 73 eurodeputët britanikë nuk do të ulen më në Parlamentin Europian dhe ministria e Financave duhet të zgjidhë “faturën e divorcit”.
Gjithashtu, do të nisin bisedimet për të ardhmen e kufirit britanik dhe atij irlandez në Irlandën e Veriut, një problem që shkaktoi jo pak probleme përgjatë 2018-s dhe 2019-s.
Pasaporta blu dhe pasaporta e kuqërremët
Vlefshmëria e dokumenteve ekzistuese, si për shembull lejet e qarkullimit nuk do të ndryshojnë, por nga 31 janari pasaporta e Mbretërisë së Bashkuar nuk i bën më britanikët qytetar të BE-së, edhe pse përfitimet e lëvizjes brenda Shengenit do të jenë ende të vlefshme për shkak të periudhës së tranzicionit.
Zyra e Pasaportave ka nisur tashmë të lëshojë dokumentet e reja pa logon e BE-së. Gjatë këtyre muajve, do të nisë të ndryshojë ngjyrën e pasaportave të reja nga e kuqërremta në blu. Ndryshimet mbi pasaportën nuk do të ndikojnë mbi vlefshmërinë e tyre.
“Të gjithë pasaportat britanike që do të dalin nga mesi i këtij viti, do të jenë ngjyrë blu”, ka konfirmuar qeveria.
Brexit: Çfarë nuk do të ndryshojë më 31 janar?
Pavarësisht ndryshimeve demokratike dhe ligjore, çdo aspekt tjetër i anëtarësimit të Mbretërisë së Bashkuar në BE do të jetë e vlefshme për britanikët përgjatë gjithë periudhës së tranzicionit.
Të paktën deri më 31 dhjetor, përfitimet nga BE-ja si për shembull liria e lëvizjes, tarifa të përbashkëta për komunikimet roaming dhe përdorimi i kalimeve lehtësuese nëpër aeroporte për shtetasit e BE-së, të njohura si pika e kalimit “blue”, do të mbeten të vlefshme.
Gjithashtu nuk do të ketë ndryshime për sa i përket porteve apo aeroporteve. Marrja me qira e automjeteve në vendet e BE-së do të qëndroje e njëjtë. Gjithashtu edhe përfitimet reciproke shëndetësore do të qëndrojnë ashtu siç janë.
Deri më 31 dhjetor, ditët e lejeve ose veprimet e bizneseve në BE do të qëndrojë ashtu siç janë.
Çfarë ndodh pas periudhës së tranzicionit, më 31 dhjetor 2020?
Ndërsa, në kapitullin tjetër të Brexit parashikohen të jenë përpjekjet për të zgjidhur të ardhmen e relatave reciproke deri në fund të periudhës 11-mujore të tranzicionit.
Disa aspekte të së ardhmes së Britanisë post-Brexit janë të gdhendura në Marrëveshjen e Tërheqjes dhe nuk do të ndryshojnë: kufiri me Irlandën, të drejtat e qytetarëve të BE-së; shuma “e divorcit” prej Brexit.
Johnson e ka bërë të qartë se kërkon të firmosë një marrëveshje afatgjatë me BE-në, sa më shpejt të jetë e mundur, por negociuesit kanë paralajmëruar se ky afat nuk është i arritshëm.
Britanikët që planifikojnë të udhëtojnë me automjetet e tyre drejt BE-së, do ju duhet të marrin leje të posaçme pas 31 dhjetorit, vetëm nëse Johnson arrin ta ndryshojë këtë në marrëveshjen e tij.
Johnsonit do i duhet të mbrojë dhe disa pika siç janë të drejtat e vendit të punës, orët e punës dhe ligjet e barazisë, të gjitha tema që do të diskutohen gjatë negociatave deri më 31 dhjetor.