Që nga referendumi i vitit 2016 për të lënë BE-në, Holanda i ka marrë Britanisë së Madhe rreth 140 shoqëri biznesi.
Më shumë se gjysma e këtyre firmave kanë ardhur vetëm gjatë vitit të shkuar, sipas Agjencisë Holandeze për Investime të Huaja (NFIA).
Këto shoqëri priten të krijojnë më shumë se 4200 vende pune dhe të injektojnë rreth 375 milionë euro investime në ekonomi.
NFIA tha se interesi u shtua sidomos vitin e shkuar, pasi kompanitë kishin pasiguri në lidhje me daljen e Britanisë nga BE.
Agjencia është duke negociuar me 425 “kompani Brexit-i”, të cilat priten të bëjnë një lëvizje të ngjashme me 175 të tjerat.
Mbretëria e Bashkuar e bëri zyrtarisht daljen nga BE-ja më 31 janar, duke hyrë menjëherë në një periudhë tranzicioni.
Megjithatë, ende nuk janë diskutuar detajet për marrëdhënien e ardhshme të vendit me bllokun europian, si dhe aksesin që do të ketë në tregje.
Kryeministri britanik, Boris Xhonson, ka theksuar se nuk do të kërkonte shtytje të periudhës së tranzicionit, dhe se marrëveshja e tregtisë së lirë do të duhej të mbyllej para përfundimit të vitit.
Megjithatë, zyrtarët e BE-së kanë paralajmëruar se kaq kohë nuk është e mjaftueshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Shoqëritë e biznesit që po shpërngulen në Holandë nuk janë vetëm britanike, por edhe amerikane e aziatike, të cilat po mendojnë të ruajnë strukturën europiane për sa kohë që vazhdon kjo pasiguri.
“Viti 2020 do të jetë shumë i rëndësishëm për këto shoqëri. Shumë do të varet nga specifika e marrëveshjeve të ardhshme midis Britanisë dhe BE-së”, tha komisioneri i Agjencisë Holandeze për Investime të Huaja, Jeoren Nijland.
“Pasiguria sa vjen e shtohet në shumë kompani të tjera. Shumë gjëra do të varen nga marrëveshjet që do të bëhen në të ardhmen midis Britanisë së Madhe dhe BE-së”, shtoi ai.
Shumica e kompanive që ka tërhequr Holanda ofrojnë shërbime në informatikë, media dhe reklamim.
“Duke pasur popullsi që e flet mirë anglishten, si dhe lidhje të shkëlqyera transporti me Britaninë nëpërmjet rrugëve detare, ajrore e tokësore, si dhe për shkak të infrastrukturës së fortë dixhitale, Holanda mbetet një alternativë shumë tërheqëse”, tha Nijland.