Një ministre britanike e shëndetësisë ka rezultuar pozitive pasi bëri analiza për coronavirus, pak pasi kishte takuar kryeministrin britanik, Boris Johnson.
Nadine Dorries është deputetja e parë e parlamentit britanik që është diagnostikuar, pak ditë pasi u takua jo vetëm me kryeministrin, por edhe me të fejuarën e tij shtatzënë si dhe me shumë figura të tjera të qeverisë britanike.
Ajo tha në një postim në Twitter se nuk është e shqetësuar për veten, por për nënën e saj 84-vjeçare, të cilës i kishte nisur kolla dhe po bënte analizat.
Thanks for so many good wishes. It’s been pretty rubbish but I hope I’m over the worst of it now. More worried about my 84yo mum who is staying with me and began with the cough today. She is being tested tomorrow. Keep safe and keep washing those hands, everyone.
— Nadine Dorries ?? (@NadineDorries) March 10, 2020
Në Britani janë verifikuar 373 të prekur dhe gjashtë viktima. Linjat ajrore të vendit janë duke bërë fluturime me shumë pak udhëtarë në bord, ndërsa shumë të tjera kanë anuluar fluturimet, sidomos me Italinë.
Italia ka numrin më të lartë të viktimave, 631 të vdekur të regjistruar deri tani, 168 u raportuan vetëm brenda 24 orëve.
Austria i ka mbyllur kufijtë me Italinë dhe lejon vetëm personat e pajisur me një certifikatë që vërteton se nuk kanë coronavirus. Pas tyre, vendim të ngjashëm mori edhe Sllovenia, gjë që u quajt e gabuar nga presidenti francez.
Turqia ishte një nga vendet që nuk kishte raportuar asnjë të prekur, por dje u verifikua personi i parë, duke bërë që në rajonin e Europës të mbeten pa prekur vetëm Mali i Zi dhe Kosova.
Irani vazhdon të jetë një nga vendet më të prekura, i treti pas Italisë, me gati 300 të vdekur dhe 8042 të infektuar. Ditën e fundit pati numrin më të lartë të viktimave brenda 24 orëve, rreth 54.
Koreja e Jugut vazhdon të ketë një numër të lartë të infektuarish, rreth 8000, por fatmirësisht kanë mundur ta kufizojnë numrin e viktimave në 54.
Nëpër Europë janë mbyllur shumë veprimtari kulturore e sportive, deri te emisionet televizive, ndërkohë që presidenti i Parlamentit Europian ka thënë se për 14 ditët e ardhshme do të punojë nga shtëpia.