Britania e Madhe thotë se përhapja e coronavirusit përbën “një kërcënim serioz dhe i menjëhershëm për shëndetin publik”.
Një deklaratë e tillë vjen pasi, Departamenti i Shëndetit ka deklaruar se, katër persona të tjerë kanë rezultuar pozitiv me virusin, duke e çuar në total numrin e të infektuarve në 8 persona.
Në të gjithë botën numërohen më shumë se 37 mijë persona të infektuar që prej nisjes së përhapjes së virusit në dhjetor në Kinë. Virusi përveç Kinës është përhapur dhe në 24 vende të tjera.
Aktualisht numri i viktimave në të gjithë botën ka shkuar mbi 800, duke tejkaluar numrin e të vdekurve të shkaktuar nga epidemia e SARS në vitin 2003.
Ndërkohë, vetëm gjatë ditës së diel kanë humbur jetën 97 persona duke bërë që të jetë dita me numrin më të lartë të viktimave të shënuar deri tani.
Autoritetet në Kinë bëjnë të ditur se në total numri i personave të vdekur nga coronavirusi ka shkuar në 908, por nga ana tjetër nënvizojnë se numri i të infektuarve të rinj është stabilizuar.
Në të gjithë vendin aziatik numërohen deri tani 40 171 persona të infektuar, nga këta 187 mijë po mbahen nën mbikëqyrjen e mjekëve.
Ndërkohë së fundmi, 130 persona kanë rezultuar pozitiv me coronavirus dhe janë vendosur në karantinë në Japoni. Bëhet fjalë për pasagjerët e një anije të quajtur “Diamond Princess”. Pasagjerët e infektuar janë larguar nga anija dhe po marrin trajtim në spital.