Punonjësit e portit më të madh të kontejnerëve në Britani hynë të hënën në ditën e dytë të grevës, duke iu bashkuar një seri nismave të ngjashme të punonjësve të transportit, që kanë çoroditur ekonominë e vendit.
Rreth 2 mijë punonjës të portit Feliks Stou, rreth 150 km në veri-lindje të Londrës, bojkotuan punën për paga më të mira, duke ngjallur frikë për bllokimin e zinxhirit të furnizimeve.
“Nuk është një strategji kombëtare, është diçka në nivel lokal dhe reflekton atë që po ndodh kudo, sepse njerëzit në mbarë vendin po ndihen njësoj. Prandaj duket sikur është diçka e koordinuar, sepse qytetarët po dalin në të njëjtin përfundim. Mjaft është mjaft, nuk do të durojmë më”, thotë Miles Hubbard, kryetar sindikate.
Porti Feliks Stou menaxhon rreth 4 milionë kontejnerë në vit nga 2 mijë anije, që përbëjnë thuajse gjysmën e flotës së anijeve që mbërrijnë në vend.
“Ne jemi dakord se ata meritojmë një pagesë të drejtë ditore kundrejt një dite të drejtë pune dhe këtë u japim”, shprehet Paul Davey, zëdhënës i portit Felixstowe.
Kompania që menaxhon portin ka deklaruar se punëtorëve u ishte ofruar një rritje page prej 8% mbi mesataren për këtë vit. Por ata thonë se kjo nuk është e mjaftueshme për një kompani që fiton miliona.
LEXONI GJITHASHTU:
- Greva paralizon sistemin hekurudhor në Britani, udhëtarët mbeten në këmbë
- Francë, greva e hekurudhave bllokohen pushuesit