Qeveria britanike ka njoftuar se pasaportat e vjetra, ato ngjyrë blu, do të lëshohen që muajin që vjen, duke shtuar kështu një nga simbolet konkrete për shkëputjen nga BE-ja.
Britania kishte që prej fund-viteve 1980 që përdorte pasaporta të ngjashme me të BE-së, me kapakët ngjyrë vishnje.
Kthimi i pasaportave ikonike blu ka qenë një nga dëshirat kryesore të mbështetësve të “Brexit”, të cilët e panë si çështje identiteti kombëtar.
Pasaportat do të prodhohen nga një kompani franko-holandeze, e quajtur “Gemalto”, e cila e fitoi kontratën që në vitin 2018.
[twitter_feed=https://twitter.com/ukhomeoffice/status/1231141577289957377]
Ministria e brendshme e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se pasaportat e para do t’u jepen përdoruesve në mars të këtij viti.
Ndërsa në verë, të gjitha pasaportat do të kenë ngjyrën blu.
“Largimi nga BE-ja na dha mundësinë e veçantë për të rikthyer identitetin kombëtar, duke shënuar udhën tonë të re në botë”, tha ministri i brendshëm, Priti Patel.
“Duke rikthyer ngjyrën blu me të verdhë, pasaportat do të bashkohen sërish me identitetin tonë kombëtar, dhe mezi pres të udhëtoj me një të tillë”, tha ajo.
Nigel Farage, kryetari i partisë “Brexit”, e ka quajtur rikthimin e pasaportave “një fitore indirekte të referendumit”.
“Gemalto”, kompania që do të bëjë pasaportat, tha se kontrata që morën ata u kundërshtua nga disa politikanë e anëtarë të medias.
Megjithatë, ministria e brendshme tha se procesi i prokurimit, i cili ishte kryer në përputhje të plotë me rregullat e BE-së, kishte dhënë një zgjidhje cilësore dhe me çmimin më të mirë për vendin.
Pasaportat me ngjyrë blu janë përdorur për herë të parë në vitin 1921. Edhe pse shumica e vendeve në BE përdorin pasaporta me kapakë vishnje, ngjyra nuk është detyrim. Pasaportat kroate vazhdojnë të jenë me ngjyrë blu edhe sot.
Pasaportave britanike do t’i shtohet edhe një imazh i ri, me simbolet e Anglisë, Skocisë dhe Uellsit.