Republika Çeke përforcoi ditën e hënë kufizimet për të luftuar epideminë e coronavirusit, duke ndaluar lëvizjen e njerëzve, përveç rasteve kur shkojnë në punë, për blerje dhe veprimtari të tjera të kufizuara, deri më 24 mars.
Në një konferencë shtypi, kryeministri Andrej Babis tha se masat e reja hynë në fuqi në mesnatë. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të punojnë nga shtëpia ose të marrin pushimet.
“Sidoqoftë, transporti publik do të mbetet funksional”, shtoi ai.
Vendi me 10.7 milionë banorë ka konfirmuar 253 raste të virusit deri tani, por asnjë vdekje.
Kufizimet e reja vijnë një ditë pasi qeveria mbylli shumicën e dyqaneve dhe restoranteve për të paktën 10 ditë.
Ndërkohë, Sllovakia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, duke marrë masa të ngjashme.
Në mbarë vendin është urdhëruar mbyllja e dyqaneve, përveç atyre ushqimorë, farmacive, bankave, pikave të karburantit dhe zyrave postare.
Kryeministri Peter Pelegrini deklaroi se komiteti i posaçëm i qeverisë do të mblidhet së shpejti për të diskutuar masa të mëtejshme, përfshirë ato për lehtësimin e impaktit në ekonomi.
Vendi me 5.5 milionë banorë ka 61 raste me koronavirus të konfirmuara, por jo vdekje.
Gjendje e jashtëzakonshme u shpall të dielën edhe në Serbi. Presidenti Aleksandar Vuçiç shpalli vendimin pas një takimi me krerët e qeverisë.
“Nga ky moment jemi në gjendje të jashtëzakonshme”, tha Vuçiç në një fjalim televiziv, duke shtuar se shumë shpejt qeveria do të marrë masa “shumë të ashpra”.
Situata e krijuar nga përhapja e coronavirus ka shkaktuar një nevojë të madhe për maska mbrojtëse.
Është thuajse e pamundur të gjesh të tilla në farmaci. Presidentaj e komisionit evropian bën thirrje që vendet e unionit të bashkëpunojnë me njëri tjetrin.