“Sistemi i drejtësisë ka dështuar të kryente hetime të plota në lidhje me rastin e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Me këto fjalë iu drejtua kryedemokrati Lulzim Basha ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Nëpërmjet një letre ai ka shprehur shqetësim për ndërhyrje politike në rastin e denoncuar nga ish-deputeti i Partisë Demoratike Ervin Salianji për përfshirjen e vëllait të ish-ministrit Xhafaj në veprimtarinë e trafikimit të narkotikëve.
“Pavarësisht këtyre zhvillimeve, nën presionin politik të qeverisë, sistemi i drejtësisë dështoi të realizojë dhe përfundojë një hetim për këto krime të dyshuara, përfshi tentativat për t’i mbuluar ato, me përfshirjen e zyrtarëve të lartë të policisë dhe politikanëve nga Partia Socialiste”, thuhet në letër.
Në vijim të letrës, kreu i PD-së e quajti absurde atë që ndodhi në gjyqin ndaj ish-deputetit demokrat, Salianji në të cilën ai u akuzua për kallëzim të rremë.
Gjykata e Shkallës së Parë dënoi me 1 vit burg ish-deputetin e PD-së Ervin Salianji, në lidhje me çështjen ‘Babalja’. Pavarësisht vendimit për Salianjin, ish-deputeti demokrat nuk do të arrestohet, pasi duhet të ketë vendim të formës se prerë edhe nga Gjykata e Apelit.