Pas takimit me shefen e BE-së, Nataliya Apostolova, shefi i ekzekutivit, Albin Kurti është pyetur nga gazetarët se si do tw veprojë me tarifën 100%, të cilën e ka vendosur paraardhësi i tij, Ramush Haradinaj.
Kurti u përgjigj se, do ta zëvendësojë me reciprocitet, por pa specifikuar nëse do ta shfuqizoj tarifën para se të vendos këtë masë.
“E para ne nuk i vendosim Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën në një fjali asnjëherë. Edhe për shkaqe historike edhe për arsye aktuale. Ne konsiderojmë që jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar si zëvendësim për tarifën 100%”, është shprehur z. Kurti.
Edhe pse ish-kryeministri Haradinaj kërkon që kjo masë të mos hiqet, Kurti shprehu besim që edhe opozita do ta përkrah në këtë vendim.
“E unë besoj që edhe ata të cilët janë sot në opozitë, por edhe ata që nuk na votuan, por unë do të jem kryeministër edhe I atyre, mund të mos pajtohen me mua për gjëra të ndryshme por për reciprocitetin janë plotësisht dakord”, ka shtuar Kryeministri i Kosovës.
Për tarifën u pyet edhe shefja e BE-së, Nataliya Apostolova. Ajo përsëriti kërkesën e Bashkimit Europian që tarifa duhet të hiqet, por nuk dha komente për reciprocitetin.
“Bashkimi Europian deri në nivelet më të larta të udhëheqësisë ka shprehur mendimin e vet për taksën 100%. Ne konsiderojmë që taksa ka shkel bashkëpunimin ndërkombëtarë dhe marrëveshjet tjera si CEFTA, pjesë e të cilave është Kosova… tani po presim që qeveria e re të dal me propozime dhe ide të reja se si do ta trajtojnë këtë çështje. Nuk dëshirojmë të parashohim se cila do të jetë zgjidhja, vetëm dëshirojmë që këto bisedime të vazhdojnë, në mënyrë që për ne me shumë rëndësi është që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të rifillojë”, ka deklaruar znj. Apostolova.
Për këtë çështje u pyet dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani. Ajo ishte njëzëri me Kurtin për zëvendësimin e kësaj mase me masën e reciprocitetit, parim për të cilin tha se njihet edhe në të drejtën ndërkombëtare tregtare. Ajo këto komente i dha pas takimit me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.
“Barrierat jo tarifore që Serbia i ka vendosur ndaj mallrave të Kosovës, të cilat kanë shkaktuar jo vetëm probleme të mëdha ekonomike dhe një disbalance të madh tregtar, janë çështje që ne patjetër duhet ti adresojmë në përputhje me parimin e reciprocitetit. Pra relacionet mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë patjetër duhet të jenë relacione që bazohen në këtë parim dhe parimi i reciprocitetit njihet në të drejtën ndërkombëtare dhe në veçanti në të drejtën ndërkombëtare tregtare”, deklaroi znj. Osmani.
Tarifa 100% u vendos nga Qeveria Haradinaj, ku largimin e kësaj mase përveç europianëve e kanë kërkuar dhe amerikanët. Për shkak të tarifës ndaj mallrave serbe ishte ndërprerë edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ngase kjo e fundit kishte deklaruar se nuk rikthehet në tavolinë pa heqjen e saj.