Presidenti amerikan Donald Trump prezantoi të martën një plan, të hartuar nga dhëndri i tij Jared Kushner, që synon paqe në Lindjen e Mesme, një premtim ky i dhënë shumë kohë më parë, dhe në rast se zbatohet do të krijojë një rrugë drejt pavarësisë së Palestinës dhe në të njëjtën kohë do të njihte sovranitetin izraelit në një pjesë të konsiderueshme të Bregut Perëndimor.
Gjatë një mbledhjeje me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, kreu i SHBA shpjegoi me pak fjalë disa elementë të propozimit të tij, njëri ndër të cilët përfshinte shtetin Palestinez me kryeqytet Jeruzalemin lindor.
Çështjet kryesore
- Statusi i Jeruzalemit, duke përfshirë këtu vendet historike që konsiderohen të shenjta për fetë Judaiste, Islame dhe të Krishtera.
- Arritja e një marrëveshjeje që pajton reciprokisht të gjitha palët në vendosjen e kufijve dhe gjithashtu që siguron se Palestina apo shtetet e tjera fqinje nuk do të sulmojë Izraelin.
- Kërkesa e Palestinës për sovranitet në territor, – Bregu Perëndimor, Shiriti i Gazës, dhe Jeruzalemi lindor – që janë pushtuar nga Izraeli gjatë luftës së Lindjes së Mesme në vitin 1967.
Por cilat ishin pikat e tjera të propozimit të Donald Trump?
- Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të njihnin sovranitetin izraelit vetëm në territorin që Presidenti amerikan do të caktonte si pjesë të Izraelit. Plani i propozuar përfshinte një hartë të konceptuar që ilustronte kompromiset territoriale që duhet të bëjë Izraeli.
- Harta do të jetë “më shumë se gjysma e territorit palestinez dhe do të përfshinte si kryeqytet të Palestinës Jeruzalemin lindor”, ku presidenti Trump thotë se SHBA do të vendosë edhe një ambasadë të saj. Organizata Palestineze e Lirisë tha se plani i Donald Trump do t’i jepte palestinezëve një kontroll mbi 15% në atë që njihet si “Palestina historike”
- Jeruzalemi “do të vazhdojë të jetë kryeqyteti i pandarë i Izraleit”. Izraeli dhe Palestina kanë pretendime të mëdha mbi qytetin e shenjtë. Palestinezët insistojnë që Jeruzalemi lindor, i cili u zaptua nga Izraeli gjatë luftës së Lindjes së Mesme në vitin 1967, të jetë kryeqyteti i shtetit të ri.
- Një mundësi për palestinezët për “të arritur pavarësinë e shtetit të tyre”. Megjithatë presidenti nuk ofroi shumë detaje mbi këtë pikë.
- “Asnjë qytetar palestinez apo izraelit nuk do të dëbohet nga shtëpia e tyre”, duke sugjeruar se hebrenjtë të cilët janë vendosur në Bregun Perëndimor izraelit nuk do të detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre.
- Izraeli do të punojë me mbretin e Jordanisë për të siguruar se nuk do të ketë ndryshime në qeverisjen e vendit më kryesor të qytetit të shenjtë të Jeruzalemit, i quajtur ndryshe si “Mali i Tempullit” nga hebrenjtë apo “al-Haram al-Sharif” për qytetarët muslimanë.
- Territori i vijëzuar në hartën e Presidentit Trump për Palestinën “do të jetë i hapur ndaj sugjerimeve, por i njëjtë për një periudhë katër vjeçare”. Gjatë kësaj kohe, palestinezët mund ta studiojnë marrëveshjen, të negociojnë me Izraelin, dhe “të arrijnë kriteret e sovranitetit”.
Përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Twitter, Presidenti Trump ka postuar një hartë ilustrative të shtetit të ri palestinez me kryeqytet Jeruzalemin lindor.
[twitter_feed=https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1222224528065155072?s=20]
Gjatë viteve të fundit, Shtëpia e Bardhë ka ndaluar financimin e refugjatëve palestinezë, ka lëvizur ambasadën amerikane në Jeruzalem dhe ka miratuar aneksimin e Lartësive të Golanit nga Izraeli. Administrata nuk ka mbajtur më takime me liderë palestinezë si dhe ka mbyllur zyrën e diplomatëve të Palestinës në Uashington.
Në qershor, Shtëpia e Bardhë, paraqiti pikat ekonomike të planit të paqes, të cilat premtonin dhjetëra miliarda dollarë për ekonominë palestineze nëse arrihet një zgjidhje politike. Palestinezët dhe mbështetësit e tyre të shteteve arabe e quajtën këtë plan si “jofunksional”.
“Ata janë negociues shumë të mirë”, tha z. Trump të hënën duke ju drejtuar palestinezëve, “përgjigja e tyre e parë do të jetë ‘Jo, ne nuk duam asgjë’, por në të njëjtën kohë, ata do të jenë duke negociuar. Kështu që le të shohim se si do të shkojë”.
Palestina kundërshton propozimin e Trump
Udhëheqësi palestinez, Mahmud Abbas u zotua se plani i propozuar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump nuk do të realizohet.
Presidenti palestinez e quajti të njëanshëm planin e Trump duke thënë se palestinezët do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtën e tyre për t’i dhënë fund pushtimit izraelit dhe themelimit të shtetit të Palestinës me kryeqytet Jeruzalemin Lindor.
Abbas mbajti një takim edhe me fraksionet e tjera palestineze, përfshi Hamasin, për të diskutuar mbi një kundërpërgjigje të mundshme ndaj planit të Donald Trump.
Benjamin Netanyahu në Moskë
Zyrtarët izraelitë thanë se kryeministri Benjamin Netanyahu pritet të fuluturojë për në Moskë këtë të mërkurë për ta diskutuar propozimin e z.Trump me Presidentin rus, Vladimir Putin.