English

Cilat janë 5 ministret e qeverisë “Kurti”

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është e para me një përfaqësim më të madh të gruas, duke pasur 5 gra në poste ministrore. Gjatë mandatit të koalicioni Vetëvendosje – Lidhje Demokratike e Kosovës, edhe legjislativi do të udhëhiqet nga dy gra.

- Advertisement -

Albulena Haxhiu ishte një ndër deputetet më të zëshme në Kuvendin e Kosovës, për tri mandate radhazi. Në legjislaturën e V dhe VI, Haxhiu nga radhët e Vetëvendosjes, ka drejtuar Komisionin parlamentar për Legjislacion.

Në qeverinë Kurti, Albulena Haxhiu është zgjedhur të shërbejë si ministër e Drejtësisë.

Hykmete Bajrami e emëruar ministre për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion është për herë të dytë pjesë e kabinetit qeveritar. Bajrami ka shërbyer edhe si ministre e Tregtisë dhe Industrisë nga viti 2014 deri në vitin 2017.

Ndërsa në dy legjislatura ishte e zgjedhur nga qytetarët si deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Vlora Dumoshi – Ministre për Kulturë, Rini dhe Sport rimerr këtë pozitë, pasi në vitin 2017 ajo ishte në krye të ministrisë për vetëm një muaj.

Dumoshi ka qenë drejtoreshë për Kulturë në Komunën e Prishtinës gjatë kohës kur ajo udhëhiqej nga lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ndërsa me emërimin e Mustafës kryeministër, Dumoshi ishte shefe e kabinetit të tij.

Rozeta Hajdari, e emëruar si ministre e Ekonomisë, Tregtisë dhe Financave nuk është emër i njohur në jetën politike në Kosovë. Sipas disa të dhënave të publikuara, Hajdari është eksperte e ekonomisë ndërkohë që deri në emërimin si ministre, ajo ka punuar si koordinatore për Arsimin e Lartë në Austrian Development Agency, një organizatë jo-qeveritare austriake që vepron në Kosovë.

Emilia Rexhepi është një tjetër grua së cilës iu besua post ministror. Ajo është do të drejtojë Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Rexhepi ka qenë deputete e disa legjislaturave në Kuvendin e Kosovës ku ka përfaqësuar komunitetin e boshnjakëve.

Përveç pozitave në qeveri, për herë të parë një grua do të drejtojë edhe legjislativin.

Vjosa Osmani është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës. Në zgjedhjet e fundit Osmani ishte kandidate e LDK-së për kryeministër ndërsa mori mbi 170 mijë vota.

Vjosa Osmani ka nisur karrierën e saj politike në vitin 2009 si shefe e stafit të presidentit të atëhershëm të Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ajo ka shërbyer si deputete gjatë tri mandateve në Kuvendin e Kosovës, ndërsa ka udhëhequr dy komisione parlamentare.

Në këtë legjislaturë edhe posti I nënkryetarit të Kuvendit I është besuar një gruaje. Arbërie Nagafci është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit. Para se të merrte këtë pozitë, Nagavci ishte deputete e legjislaturës së kaluar nga radhët e Vetëvendosjes. Gjatë viteve 2014- 2017 ishte drejtoreshë e Drejtorisë Komunale për Arsim në Prishtinë.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?