Pas dorëheqjes së Annegret Kramp-Karrenbauer si lider i CDU-së pas tërmetit politik që shkaktuan zgjedhjet rajonale në Thuringia, zv.presidenti i Këshillit Ekonomik të partisë, Friedrich Merz duket se do të jetë pasardhësi i ri i Angela Merkel.
Annegret Kramp-Karrenbauer, e njohur si AKK, dha dorëheqjen këtë të hënë edhe si kandidate e ardhshme për Kancelare ashtu edhe si lidere e partisë.
Ajo ishte në presion në rritje pasi anëtarë të CDU bashkë me partinë e ekstremit të djathtë AfD, zgjodhën së bashku kancelarin në Thuringia.
Edhe para se Kramp-Karrenbauer të bënte të ditur dorëheqjen, Friedrich Merz ishte përmendur nga analistë në Gjermani si “njeriu i fortë” për CDU-në.
Ai gjithashtu është cilësuar dhe krahu rival i Merkel, pasi e ka kritikuar kancelaren dhe në mënyrë të hapur.
Merz është ekspert financiar dhe konsiderohet si konservator dhe “person i çështjeve të mëdha”. Mbështetësit e tij shpresojnë se nën drejtimin e tij CDU mund të marrë sërish votat e Kristian Demokratëve që kanë shkuar në favor të AfD.
Në zgjedhjet për liderin e ri të CDU-së që u mbajtën në fund të vitit 2018, Merz mori 482 vota përballë 517 votave që mori AKK.