Koimisioni Europian tha këtë të hënë se BE nuk është ende në fazën që të kufizojë udhëtimet në zonën Shengen, pas përhapjes së koronavirusit ë Itali.
“Për momentin, Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka imponuar ende kufizime të udhëtimeve në Shengen. Megjithatë, tani jemi duke marrë masa të rrepta në të gjitha vendet anëtare. Për ne është e rëndësishme që të bashkërendohet puna, dhe të gjejmë një linjë të përbashkët veprimi në të gjithë BE-në”, tha Komisionerja e BE-së për Shëndetësinë, Stela Kiriakides.
Këto komente vijnë pasi Austria vendosi të ndërpresë shërbimin e trenave për në Itali për katër orë, por më pas i riktheu.
“Komisioni Europian, Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve dhe dega europiane e Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë duke mbajtur komunikime të rregullta me autoritetet italiane në lidhje me situatën e krijuar. Këto komunikime çuan në një marrëveshje për të dërguar në Itali një mision të përbashkët të OBSH dhe Qendrës Europiane për Parandalim e Kontroll të Sëmundjeve”, shtoi Komisionerja për Shëndetësinë.
Ndërsa Komisionieri i BE-së për Menaxhimin e Krizave, Janez Kenarcic, njoftoi se BE ka ofruar 230 milionë euro për situatën.
“Nga këto, 114 milionë do t’i shkojnë Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për të ndihmuar me parandalimet botërore. 15 milionë do t’u jepen vendeve partnere, për të forcuar gatishmërinë e tyre. Dhe 100 milionë do të përdoren për kërkime shkencore, zhvillim vaksinash dhe trajtim, të cilat do të kenë pasoja pozitive për të gjithë botën”, deklaroi Lenarcic.