Ministria e Shëndetësisë lajmëroi në orët e para të mëngjesit të së hënës se COVID-19 ka mbërritur në Shqipëri, përmes dy të prekurve që kanë udhëtuar nga Firence në Tiranë.
Sipas ministrisë gjendja e babait dhe djalit të prekur nga Tirana,të dy në moshë madhore, paraqitet e qëndrueshme dhe pa komplikacione.
“Strukturat tona të urgjencës kombëtare dhe ISHP janë duke ndjekur protokollin klinik dhe epidemiologjik për të dy rastet,” thuhet në lajmërimin e MSHMS.
Institucioni gjithashtu i bëri thirrje qytetarëve që kanë udhëtuar nga vende të prekura dhe ndjejnë simptoma të ngjashme me gripin, të telefonojnë në nr. 127 për të marrë kujdes shëndetësor.
Që nga përhapja e coronavirus, Shqipëria ka testuar të paktën 58 persona të dyshuar, por asnjëri prej tyre nuk rezultoi i infektuar deri më 8 mars.
Më herët ekspertët e shëndetit në vend kanë lajmëruar se janë përgatitur për të përballur situatën shëndetësore të COVID-19. Mbi një milion maska janë shpërndarë për personelin mjekësor, ndërsa karantina për të prekurit është planifikuar në Shtëpinë e Pushimeve të Ushtarakëve në Durrës.
Autoritetet kanë nxitur personat e kthyer nga Italia të vetëizolohen për dy javë për të shmangur përhapjen e virusit, i cili në shtetin fqinj ka shkaktuar 366 viktima dhe ka infektuar 7,375 persona.
Shifrat e mësipërme e bëjnë Italinë vendin e dytë me më shumë të infektuar jashtë Kinës, nga ku coronavirus ka zanafillën.
Kryeministri italian Giuseppe Conte lajmëroi se shkollat, muzetë, palestrat, lokalet dhe hapësirat e tjera publike në të gjithë vendin duhet të mbyllen deri më 3 prill.
Lexoni gjithashtu
Conte firmos dekretin për coronavirusin, 16 milionë njerëz në karantinë deri më 3 prill
Strategjia për të luftuar COVID-19, OBSH-ja njofton planin e kërkim-zhvillimit
Përditësimet e fundit me situatën e coronavirusit